Vendosni fjalën kyçe....

Facebook paditet për efektet te fëmijët, i kërkohet dëmshpërblim 100 miliardë dollarë


Prokurori i Përgjithshëm i Ohajos, Dave Yost, ka ngritur një padi kundër Facebook-ut, të riemërtuar së fundmi Meta, për algoritmet e tij të gabuara dhe efektet tek fëmijët.

Dokumentet e gjykatës thonë se ndërmjet prillit dhe tetorit 2021, drejtuesit e Facebook kanë shkelur ligjin federal të letrave me vlerë duke mashtruar qëllimisht publikun në lidhje me algoritmet e tij dhe efektet negative që produktet e tij mund të kenë tek të miturit për të rritur fitimet.

“Facebook (Meta) tha se po kujdesej për fëmijët tanë dhe po largonte trollët në internet, por në realitet po krijonte mjerim dhe përçarje për përfitime”, tha në një deklaratë të hënën Prokurori i Përgjithshëm Dave Yost.

Sipas Yost, ‘e vërteta filloi të shfaqej’ pas publikimit të ‘The Facebook Files’ në fillim të këtij viti. Publikimi, bazuar në dokumentet e brendshme të zbuluara nga një ish-punonjëse, pretendonte se algoritmet e rrjeteve sociale të kompanisë promovonin përmbajtje potencialisht të rrezikshme – për shembull, vajzave me anoreksi u rekomandohej të abonoheshin në grupe ku diskutohej humbja e peshës.

Dokumentet pretendonin se gjuha e urrejtjes dhe përmbajtja radikale dhe madje ekstremiste u promovua ose nuk u filtrua për shkak të defekteve në sistemin e platformës, të cilat kompania dyshohet se dinte, por i injoroi. Themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg pretendoi në atë kohë se akuzat ishin shpifje dhe se kompania nuk i ka dhënë kurrë përparësi fitimeve në kurriz të përdoruesve.

Paditësit, duke kërkuar së bashku 100 miliardë dollarë dëmshpërblim nga Meta, i kërkojnë gjithashtu ekpit drejtues të kompanisë të marrë masa për të rregulluar të metat dhe të mos mashtrojë më investitorët e saj.

Në përgjigje të dosjes gjyqësore, zëdhënësi i Meta-s, Joe Osborne, tha se ‘padia është e pavlerë dhe ne do të mbrohemi fuqishëm’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani