Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Do ketë vetëm një Kuvend të PD-së, do mblidhet më 11 dhjetor


Deputeti i PD-së, Këlliçi, ka pohuar mëngjesin e sotëm se Kuvendi i partisë do mblidhet vetëm në një datë, më 11 dhjetor, datë e lajmëruar më herët nga ish-kryeministri Berisha.

Deputeti tha gjaë intervistës së tij në emisionin e mëngjesit në A2 se edhe pse Foltorja ka pasur gabime, është e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshimin në parti.

“Ja garantoj që do të ketë vetëm një datë, ajo 11. Shpesh në Foltore është tejkaluar e drejta e fjalës, ka pasur edhe linçime. Këto janë gabime të Foltores, por ajo ka risjellë mendimin ndryshe në PD dhe është i vetmi instrument për të bërë një ndryshim. Foltorja ka sjellë Kuvendin dhe është Kuvendi që cakton kryetarin, jo Foltorja. Por të tmerruar nga foltorja ka njerëz që e shohin si shantazh atë, por unë e shoh si mundësi.” – tha Këlliçi.

Ai hodhi poshtë pretendimet se në mbledhjen e djeshme të kryesisë së partisë ka pasur përplasje fizike. Po kështu Këlliçi shtoi se kreu i partisë Basha ka ndryshuar 180 gradë që nga dita e parë pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar.

“Në fillim refuzoi që kishte krizë, ndërsa dje befas u mblodh kryesia për herë të parë, për të paraqitur një propozim që nuk ka vlerë, përçan PD dhe nuk është mbi 4200 delegatët e Kuvendit Kombëtar. Ky është Kuvendi i parë Kombëtar që vetëmblidhet nga delegatët. Uroj dhe jam i bindur që në fund të këtij procesi do të kemi vetëm një PD. Basha duhet të vijë me platformën e tij shteruese, të shpjegojë pse e ka marrë vendimin për zotin Berisha, të shpjegojë sesi me planin e tij PD rrëzon Edi Ramën. Se ne betejën e kemi me Edi Ramën dhe kemi humbur 2 muaj për këtë betejë. Të vijë dhe të votëbesohet. Në momentin që merr një votë më shumë se të tjerët, zoti Basha është kryetar legjitim. Sot ai e pranon që ka nevojë për një Kuvend, por ka humbur 2 muaj kohë dhe ka futur bazën në konflikt. Ky është rreziku më i madh sepse janë vetë militantët që janë në gjendje konfliktuale me njëri-tjetrin. Më mirë që ka ndodhur ky debat, që do ta demokratizojë edhe më shumë PD.” – tha Këlliçi.