Gjashtë punonjës të Kadastrës janë kallëzuar në SPAK nga Ministria e Drejtësisë, se kanë shpërdoruar detyrën duke legalizuar ndërtimin e një kati shtesë në shkollën e fshatit Ishëm.
“Ndërtimi pa leje është bërë direkt mbi kopshtin. Pa studim, pa projektim është shtuar një kat mbi kopshtin ku shkojnë fëmijët e kësaj njësie.”– ka deklaruar sot ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Në një Konferencë për mediet, Manja tha se do të ngrenë në institucionin që ai drejton, një njësi anti-korrupsion. Deri më tani sipas tij, janë bërë 7 kallëzime penale në SPAK, si dhe janë dërguar në prokurori 6 persona. Rasti i Ishmit është vetëm një nga kallëzimet e bëra.
“Rasti i parë ka bëjë me njësinë administrative Ishëm, Durrës. Është legalizuar një vend brenda një kopshti publik, ndërtimi pa leje është bërë direkt mbi kopshtin. Pa studim, pa projektim është shtuar një kat mbi kopshtin ku shkojnë fëmijët e kësaj njësie. Ky objekt vazhdon të jetë në pronësi të njësisë administrative Ishëm, ndërkohë që zyrtarët përkatës që do të çohen sot në SPAK.
Kemi dërguar në prokurori 6 persona, punonjës aktual e jo vetëm. Me veprimet e tyre shpërdoruan detyrën në mënyrë flagrante.
Rasti i 2, i përket drejtorisë rurale 2. Në kartelën manuale të pasurive, prona rezulton shtet, ndërsa rezulton në emër të një qytetari i cili nuk ka bërë kërkesë. Në listën e trojeve, kjo pasuri një herë është në emër të një qytetari, një herë shtet, një herë në emër të një qytetari tjetër. Janë kryer veprime për sekuestrimin e tokës. Të gjitha këto janë kryer nga një person i vetëm. I njëjti person që ka kryer të njëjtat gjëra për të regjistruar pronat. Këto raste janë të parat për të cilat njësia antikorruopsion ka përfunduar hetimet, janë firmosur kallëzime. Për rastin e Ishëm, ka të bëjë me faktin se është në zonë bregdetar.”– deklaroi Manja.
Ministri i Drejtësisë, ka denoncuar edhe një rast tjetër ku prona shtetërore rezulton në 3 pronësi të ndryshme.
“Rasti i dytë ka të bëjë me regjistrimin e një prone pa dokumentacion. Shteti zhvishet nga pronësia me veprime fiktive nga punonjës shtetëror të kadastrës. Prona shtetërore ndërsa në sistemin online e ka një qytetar i cili s’ka bërë kurrë kërkesë për këtë pronë. Nëpunësja e kadastrës ka krye veprim mbi kartelën e pasurisë pas kryer veprim në sistem. Një herë kartela është në emër të qytetit, një herë është në emër të shtetit dhe për herën e tretë është në emër të një qytetari tjetër pa dokumente pronësie. Të gjitha këto veprime janë kryer vetëm nga një person. Sigurisht që këto raste janë raste të para që njësia anti-Korrupsion ka përfunduar hetimin dhe dokumentimin me prova dhe si koordinator i kësaj agjencie kam firmosur kallëzimet për SPAK dhe prokurorinë e Tiranës.”– tha Manja.