Vendosni fjalën kyçe....

Nikolla merr masë disiplinore ndaj Salianjit pas sherrit me Braçen, kundërshton Rrushaj: Vetëm pse është deputet opozitar, heto kush e nisi sherrin


Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, vendosi një masë disiplinore ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji, pas debatit që ky i fundit pati me deputetin socialist Erion Braçe.

“Bazuar në nenin 64 i jepet ‘Masa disiplinuese e tëheqjes së vëmendjes’ i jepet deputetit Ervin Salianji për përdorimin e një gjuhe jo parlamentare, diskriminuese dhe veprime të tjera të parashikuara në nenin 6 të kodit të sjelljes.”– tha Nikolla.

Kjo u kundërshtua nga kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rrushaj, pasi sipas tij Salianji po ndëshkohej vetëm sepse është deputet i opozitës dhe po bënte akuza ndaj deputetëve të maxhorancës.

“Në atë foltore nuk është lënë gjë pa thënë për të gjithë ne këtu, duke filluar nga kryeministri dhe gjithë të tjerët. Nuk është mbajtur ky standard. Ajo çfarë ndodhi duhet hetuar dhe ju nuk mund ta ndëshkoni me një masë disiplinore kaq shpejt vetëm se është një deputet opozitar. Duhet të bëni një hetim, kush e inicioi debatin dhe pastaj të dilet në një përfundim. Pa bërë asnjë hetim dhe vetëm se po fliste deputeti i opozitës dhe po denonconte diçka, kjo është e pa drejtë.”– janë fjalët e Rushajt.