Vendosni fjalën kyçe....

Shpikësi misterioz i Bitcoin mund të zbulohet në procesin gjyqësor në SHBA


Identiteti i vërtetë i krijuesit të Bitcoin, Satoshi Nakamoto, i cili ka qenë një nga misteret e botës financiare, mund të zbulohet më në fund në një gjykatë në Florida, raporton Wall Street Journal.

Sipas mediave, aktualisht është duke u zhvilluar një proces gjyqësor ku familja e të ndjerit David Kleiman ka paditur ish-partnerin e tij të biznesit Craig Wright për kontrollin e aseteve të tyre të përbashkëta. Asetet në fjalë janë një cache prej rreth 1 milion bitcoin (me vlerë mbi 64 miliardë dollarë), që i përkasin krijuesit të Bitcoin Satoshi Nakamoto.

Wright, një programues australian 51-vjeçar që jeton në Londër, ka bërë deklarata që nga viti 2016 duke thënë se ai krijoi Bitcoin. Këto pretendime, megjithatë, janë kritikuar fuqishëm dhe janë hedhur poshtë nga shumica e komunitetit të Bitcoin.

Familja thuhet se planifikon të sigurojë prova që Wright dhe Kleiman kanë punuar së bashku që nga fillimi i kriptomonedhës.

“Ne besojmë se provat do të tregojnë se ka pasur një partneritet për të krijuar dhe prodhuar mbi 1 milion Bitcoin,” tha avokati i familjes Kleiman, Vel Freedman për WSJ.

Mbrojtja synon të provojë se Wright është krijuesi i vetëm i Bitcoin.

Disa ekspertë të kriptomonedhave mbeten ende skeptikë nëse Wright ose Kleiman kishin njohuritë e nevojshme për të krijuar kripto-tokenin më të spikatur në botë.

Identiteti i Satoshi Nakamoto, një pseudonim mbetet ende mister pasi askush nuk e di se kush është Nakamoto në të vërtetë.