Vendosni fjalën kyçe....

Të tjera detaje nga grabitja e pronave në Jalë, tokat u legalizuan dhe hipotekuan brenda 24 orësh


Kompania Jala investimet shpk, reagoi mbrëmjen e kaluar pas investigimit të “News 24”- mbi skemën e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Jalës nga familjarë të ish-ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Në njoftimin për mediet, Jala Investment thotë se nuk ka kontratë sipërmarrjeje me familjet Mëhilli dhe Dhespoti të përmendura në investigim, për ndërtimin e një hoteli në Jalë dhe se pronat e zotëruara prej saj janë pa barrë hipotekore dhe të blera nga pronarë të ligjshëm.

“News 24” ka publikuar të dhëna të reja mbi këtë, duke thënë se është e vërtetë që marrëdhëniet kontraktuale me familjet Mëhilli dhe Dhespoti për ndërtimin e hotelit në Jalë buzë plazhit, nuk kanë qenë me ‘Jala Investment, por me kompaninë Andi shpk, që është aksionere kryesore me 60% e shoqerisë Jala Investment SHPK. Vetë kompania Andi. SHPK është në pronësi të të afërmve të ish-ministrit Gjiknuri, Andi dhe Adriana Gjiknuri.

Siç mund të shihet edhe nga afishimi i lejes së ndërtimit në sheshin ku po zbatohet projekti ngjitur me plazhin në Jalë, janë të afishuar si pronarë familjet Mëhilli dhe Dhespoti dhe si zhvillues Andi. SHPK.

Përfaqësuesit ligjorë të kallëzuesit Lorenc Koljaka thonë se dokumenti gjendet edhe tek leja e ndërtimit e lëshuar nga bashkia e Himarës. Leja daton në 11 qershor të 2019, më pak se 6 muajsh që nga marrja e pronësisë përmes legalizimit. Për të arritur deri këtu është dashur që me shpjetësi të sigurohen tapitë e duhura. Kështu në datën 10 janar 2019 brenda ditës janë dhënë dy vendime legalizimi për kalimin e pronësisë të objektit të poseduar nga zoti Koljaka, vendimet mbajnë numrin 1 dhe 2 të vitit 2019.

Prona e pretenduar si e tjetërsuar gjendet në vijën e parë të plazhit, ndërkohë aktet mbajnë firmën e Ardian Mustës, drejtori i atëhershëm i ALUIZNI-t në Vlorë. Një ditë më pas, sipas dokumenteve me 11 janar 2019 edhe lëshuar vërtetmi hipotekor për të dyja lejet e legalizimit, me firmën e Klodian Trocit. Një personazh i njohur ky që u arrestua pak ditë më parë i dyshuar për falsifikimet me trojet po në Himarë, dhe ku në shtëpi gjatë kontrolleve ju gjetën rreth 60 mije euro CASH. Edhe në 2019 Troci u pezullua për shkeljet në hipotekë. Dyshimet mbi shpejtësinë e veprimit të administratës publike i ngre dhe avokati i zotit Koljaka, Rezart Kthupi.

Jala investmet është themeluar në 15 tetor 2020 me aksionerë 60% Andi.shpk dhe 40% AIG. Kjo kompani nënvizon se ka përfituar 3 pronat objekt zhvillimi, si kontribut në kapital nga një nga investitorët, shoqëria AIG sh.p.k. Pronat janë blerë në vitin 2020 nga shoqëria AIG (ortak i shoqërisë Jala Investment) sipas vërtetimeve të pronësisë të lëshuara nga kadastra e Vlorës dhe pa asnjë lloj barre hipotekore mbi to thuhet në deklaratë, ku shtohet se prej më shumë se 1 viti prona është zotëruar ligjërisht dhe fizikisht dhe nuk ka patur asnjë lloj pretendimi pronësie nga askush dhe jo më nga pretenduesit e pronës në këtë artikull.

Ndërkohë për pretendimet Lorenc Koljaka ka kallëzuar në prokurori, ish drejtorin e ALUIZNI-t në Vlorë Ardian musta, Kompaninë Jala Investment SHPK, dhe administratorin e kësaj shoqërie Saimir Boka. Koljaka parashtron në padi faktin se si janë lëshuar për të njëjtën ndërtesë dy leje të ndryshme legalizimi. Madje ndarja objektit është berë e barabartë, 48 metra për secilen nga familjet, Mëhilli dhe Dhespoti, në menyrë të barabartë është ndarë edhe oborri.

Jala investment thotë po ashtu se lidhja që bëhet në artikull mes aktivitetit të kësaj shoqërie dhe personave të tjerë publikë, është abuzive dhe synon thjesht mediatizimin e qëllimshëm të çështjes duke dëmtuar interesat e kompanisë.

Lidhja e kompanisë Andi.SHPK në pronësi të familjarëve të Damian Gjiknurit, mund të jetë thjesht rastësore me vetë Damian Gjiknurin, por nga ana tjetër fakti është se në procesin e legalizmit dhe hipotekimit janë përfshirë persona të rëndësishëm të administratës lokale, gjatë kohës kur përfaqësuesi i larte partiak ka qenë drejtues politik në Vlorë. Ndërkohë është pothuajse e pamundur që kta drejtues shtetërore lokale që, administrojnë llokma të rëndësishme pushteti të emërohen jashtë influencave politike.

Prona e zotit Koljaka ka qenë aty në regjistrat shtetërore thotë avokati i tij. Vërtetuar me aktet trashëgimise të leshuara ndër vite, me vertetimet e kryepleqësisë se fshatit Vuno të vitit 1993 dhe 1995, si dhe me lejen e përkohëshme të ndërtimit për riparimin e çatisë së objektit dhënë nga bashkia e Himarës në 2008. Avokati i Koljakës shtron pyetjen se si është e mundur që legalizmi i një objekti është bërë pa verifikuar situaten në terren, dhe pa u konsultuar me regjistrat publikë për statusin e pronës në fjalë.

Nëse ka vepër penale apo jo, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, shpërdorim të detyrës apo korrupsionit do i takojë organeve të drejtëisë te përcaktojë  përgjegjësitë e gjithë secilit.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Balkanweb dhe News 24