Vendosni fjalën kyçe....

Tomorr Alizoti: Më vjen keq por kemi injorancë në Parlament, pasuria e politikës shqiptare sot mund të sfidojë dhe elitën e perandorive të botës


Deputeti demokrat Tomor Alizoti ka deklaruar se në Kuvendin e Shqipërisë janë mbledhur “injorantët”.

Gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit, Alizoti vuri në dukje se salla e Kuvendit ishte pothuajse bosh teksa ai fliste, ndërkohë që tema që po diskutohet, ishte tema më e rëndësishme, buxheti i shtetit për vitin 2022.

Alizoti u shpreh se pasuria e elitës politike shqiptare sot sfidon edhe pasurinë e elitës së perandorive të botës.

“Buxheti është elementi më i rëndësishëm i një shteti, i një politike, i një ekonomie.

Kryeministri s’është në sallë por duhet të ishte dhe kryetari i opozitës. Është buxheti i shtetit.

Politika nuk është gallatë, sepse jemi një vend i cili është më i varfri në rajon. Fatkeqësisht shoqëria shqiptare në të gjithë historinë e saj ka patur një popull të varfër, në të gjitha kohërat.

Por sot ka një elitë shumë më të pasur se në gjithë kohërat e saj. Elita politike shqiptare sot mund të sfidojë dhe elitën e perandorive të botës dhe të Amerikës, aq e pasur është, e pasur pa ditur gjë, pa bërë fjalime politike…

Kemi injorancë në Parlament, më vjen keq që e them këtë, mos e merrni për arrogancë. Kemi banalitet ndaj politika shqiptare është lincim, fyerje e gjitha.

Kryeministri dhe lideri juaj që ju keni frikë ta kundërshtoni, një pjesë e madhe i serviloset që të kapë ndonjë post. E dini kur ka vdekur Parlamentarizmi? Kur listat për deputet i bën kryetari i partisë. S’ka pra diskutime politike.

Duhet ta mbash mirë me kryeminstrin edhe atje nga pala jonë që të bëhesh deputet dhe kur vjen këtu s’di ca thua.

Do thuash ky është burrë i mirë e ky është burrë i keq e në fund mund të bësh edhe pak grusht. Ky s’është parlament, kjo është realitet i hidhur i vendit, i shoqërisë, i Shqipërisë.

Meqë mendimtarët e mëdhenj janë në shpi ose po pijnë ndonjë verë të shtrejntë kjo është fatkeqësia e shqiptarëve, nga politika s’ka për ti ardhur gjë por shpresoj që ata njerëz që na shohin në tv të revoltohen në mënyrë demokratike dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.”- deklaroi Alizoti.