Vendosni fjalën kyçe....

Aktorët dhe produksioni i “Harry Potter” do të ribashkohen për një shfaqje speciale për 20-vjetor, por me përjashtim të autores JK Rowling


Artistët që realizuan filmat e “Harry Potter”-it do të ribashkohen për një speciale për 20-vjetorin e transmetimit të filmit të parë, mirëpo pa autoren JK Rowling.

Fansat dhe komentuesit në rrjet kanë ngritur dyshime, nëse mungesa e autores kishte ndonjë lidhje me pikëpamjet e saj për çështjet transgjinore.

“Harry Potter dhe Guri Filozofik” u shfaq premierë 20 vjet më parë këtë javë, duke katapultuar aktorët Daniel Radcliffe, Rupert Grint dhe Emma Watson.

Warner Bros njoftoi të martën se tre aktorët kryesore si dhe një numër i madh i aktorëve të tjerë dhe bashkëpunëtorësh, do të udhëtojnë përsëri në Hogëarts me rastin e 20-vjetorit.

 Ky ritakim i kastit do të transmetohet në ditën e Vitit të Ri, me titullin “Harry Potter 20-Vjetori: Kthimi në Hogwarts”.

Mirëpo bie në sy mungesa nga produksioni e autores që bëri të mundur botimin e librave por edhe realizimin e filmave, JK Rowling. Një njoftim për shtyp i Warner Bros nuk e përmendi fare Rowling. Jo vetëm kaq por edhe aktorja Emma Watson në postimin e saj të gjatë ku falënderoi fansat dhe anëtarët e tjerë të kastit, nuk e përmendi fare Rowling, të cilën aktorët e tjerë thanë se “i detyrohen gjithçka”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Emma Watson (@emmawatson)

Ekipi i PR i Rowling nuk ka bërë komente mbi mungesën e autores dhe Hollywood Reporter raporton se ajo do të shfaqet në shfaqje vetëm përmes pamjeve arkivore.

Komentuesit në internet shpejt arritën në përfundimin se Rowling ishte anuluar nga kjo speciale, për shkak të përplasjeve të saj të profilit të lartë me aktivistët transgjinorë. Rowling e cila e përshkruan veten si një feministe, është shprehur kundër gjuhës neutrale ndaj gjinisë, duke argumentuar se ajo “fshin” konceptin e seksit dhe rrjedhimisht konceptin e gruas. Ajo gjithashtu ka deklaruar se seksi është një koncept binar dhe është shprehur kundër banjave neutrale, duke pretenduar se duke i lejuar burrat në banjat e grave, gratë bëhen më pak të sigurta.

Komentet e Rowling për çështjet gjinore gjeneruan reagime të forta nga organizatat LGBT dhe autorja mori edhe kërcënime me vdekje dhe përdhunim. Aktorët Daniel Radcliffe dhe Emma Watson gjithashtu folën kundër Rowling për deklaratat e saj vitin e kaluar, duke u kërkuar falje fansave të mërzitur “për dhimbjen që ju kanë shkaktuar komentet” e saj.

Rowling ka deklaruar vazhdimisht se është kundër diskriminimit anti-trans, por nuk do të ndryshonte qëndrimin e saj.

“Unë refuzoj të përkulem para një lëvizjeje që besoj se po bën dëm të dukshëm duke kërkuar të shkatërrojë ‘gruan’ si klasë politike dhe biologjike dhe duke u ofruar mbulesë grabitqarëve si më parë”– shkruante ajo vitin e kaluar.