Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në takimin e sotëm me kryetarët e degëve të PD-së, thotë se vota e kryesisë ishte përgjigja për të gjithë ata që dyshonin në procedurat demokratike të opozitës.
Kryedemokrati tha po ashtu se nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit, PD do të dalë më e bashkuar.
“Vota e kryesisë i dha përgjigje kujtdo që dyshonte në procedurat demokratike në parti. Basha tha se më 18 dhjetor mbahet Kuvendi Kombëtar i PD dhe nga ky kuvend ne dalim të bashkuar, partnerë të palëkundur të SHBA dhe BE.”- është shprehur Basha.
Gjithashtu ai akuzoi Berishën se qëllimi i tij është bunkerizimi dhe destabilizimi i PD-së. Ai thekson se dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD-së, e kanë përgjigjen në statut.
“Do të bëjë Sali Berisha miting me 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD-së.
Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike te PD, e kanë përgjigjen në statut. Dhe do ta zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi të tjerët.”- u shpreh Basha.