Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur një ditë më parë në fshatin Grecalli të Fierit, ku një fëmijë 8-vjeçar u masakrua dhe u varros në oborrin e fqinjit.
Basha shkruan se si prind ndan sot dhimbjen me prindërit dhe familjarët e të miturit. Në mesazhin e tij, kryedemokrati shprehet se kjo ngjarje është një këmbanë alarmi për autoritetet shqiptare.
“Jam thellësisht i tronditur për ngjarjen e tmerrshme kriminale që i mori jetën një 8-vjeçari në Fier. Si prind, ndaj sot dhimbjen me prindërit dhe familjarët dhe lus Zotin t’ua lehtësojë dhimbjen!
Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve!
Dita e djeshme, e cila jo për herë të parë na përballi me ngjarje të rëndë kriminale, është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, për policinë, drejtësinë, shëndetësinë e kujdesin social. Duhet një vëmendje e shtuar ndaj çdo rasti, një strategji e re përballjeje përtej propagandës, që ngjarje të tilla të parandalohen pa qenë vonë.”- shkruan Basha.