Vendosni fjalën kyçe....

Deklarata e fortë e Gazment Bardhit: Jam gati të dëshmoj në çdo kohë për masakrën në Elbasan, Taulant Balla kishte bandën për shtab elektoral


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka kërkuar që ta thërrasin si dëshmitar në Komisionin Hetimor për strukturën e mbrojtjes së votës.

Ai thotë se është i gatshëm që të dëshmojë në çdo kohë për atë çka ai e cilëson “masakër zgjedhore” që ka ndodhur në Elbasan.

Bardhi vlerësoi gjatë fjalës së tij vullnetarët për mbrojtjen e votës per mundësimin e zbulimit të krimeve zgjedhore na partia në pushtet, duke mohuar se ishin ngritur grupe paralimitare.

 “Ata janë qytetarë të ndershëm, vullnetarë të PD dhe nuk do t’i dorëzojmë kurrë per t’u bërë ushqim për patronazhistët tuaj. Secili prej tyre ka patur mbi shpinë gjatë katër muajve Policinë e Shtetit. Ka ardhur Policia e Shtetit dhe i ka kontrolluar me dhjetëra herë. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i armatosur. PD nuk ka ngritur grupe paramilitare. Grupe paramilitare kishte ngritur PS me eksponentët më të rrezikshëm të krimit të organizuar. Nëse doni emra dhe informacione kur të vijë koha i themi këtu. Ajo që ne kemi ngritur është çdo strukturë që ka ngritur çdo parti politike në të gjithë botën, përfshirë edhe presidentin aktual të SHBA-së. Sikundër secili prej atyre vullnetarëve ka qenë pikë kontakti zyrtar me drejtuesit e Policisë së Shtetit, nuk kanë vepruar si struktura ilegale të panjohura.”- është shprehur Bardhi.

Gjatë fjalës së tij Bardhi u shpreh se është i gatshëm të dalë para Prokurorisë e të japë informacione, ndërsa nuk i kurseu akuzat ndaj maxhorancës, duke thënë se Taulant Balla kishte “bandën” për shtab elektoral.  

 “E kam çuar kallzim penal. Po pres të hetojë Prokuroria dhe jam i gatshëm të dal atje e të jap informacione se kush ishin trafikantët e drogës që shoqëronin nga mëngjesi në darkë Taulant Ballën dhe ekipin tuaj në Elbasan. Kush ishin njerëzit që shpalleshin në kërkim paradite nga policia dhe pasdite shoqëroheshin nga policia për të shpërndarë para’ shtëpi më shtëpi në Elbasan. Nuk kishte Polici Shteti në Elbasan kishte bandë që komandonte nga drejtori i Policisë, që ishte i pafuqishëm për t’i luftuar. Dhe ta them unë se përse?! Sepse kjo bandë ishte shtabi i Taulant Ballës në Elbasan. Dhe Taulant Balla kishte të drejtën dhe mundësi për të shkarkuar drejtorin e qarkut, siç e bëri.”- tha Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së përmendi edhe një element të papërmendur deri më tani për largimin nga Elbasani të Drejtorit të Policisë, duke e lidhur atë me zgjedhjet.

“Një nga arsyet pse e shkarkoi drejtorin e qarkut ishte se nuk i bindej deri në fund Taulant Ballës. Ai i thoshte: ‘shko hyr në shtabin e kundërshtarit tim politik’, ‘mos shpall në kërkim eksponentët e krimit të organizuar.’ Se ditën kur i denonconim, mbylleshin në shtëpi ata. Në darkë i mblidhte Taulant Balla u thoshte: ‘Më keni mua.’ Të nesërmen merrnin zemër ata, masakronin, kërcënonin qytetarët, blinin vota në mes të ditës, mblidhnin karta identiteti. Ky është realiteti”- u shpreh Bardhi.

Në komisionin hetimor për zgjedhjet, Bardhi shtoi se vullnetar për Taulant Ballën në fushatë ka dalë publikisht edhe një trafikant droge. “Mehmet Greca doli në TV krenar dhe tha: se është anëtar i shtabit te Taulant Ballës. Është trafikant i dënuar droge, në kërkim. I dënuar në Londër si shpërndarës droge, është krenaria juaj, si patronazhist. Nuk do ta kisha kurrë krenari në të gjithë karrierën time politike.”

Ky reagim vjen pasi përfaqësuesit e PS-së thanë se do ta thërrasin si dëshmitar në Komisionin Hetimor për atë që u quajt struktura e mbrojtjes së votës.