Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania propozon sanksione për zyrtarët e Republikës Serpska


Gjermania e ka ngritur para organeve të Bashkimit Evropian, çështjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska, të cilët kërcënojnë Marrëveshjen e Dejtonit, ka mësuar të mërkurën Radio Evropa e Lirë nga burime diplomatike në Bruksel.

Marrëveshja e Dejtonit ka krijuar dy entitete në Bosnje: Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Sërpska.

Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja, dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.

Gjermania besohet se i ka kërkuar Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, që të hartojë një dokument, i cili propozon sanksione kundër zyrtarëve të këtij entiteti të Bosnje-Hercegovinës.

Kjo çështje është diskutuar në një takim të Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, të mbajtur më 17 nëntor.

Këtë iniciativë e ka mbështetur edhe Republika Çeke.

Disa burime nga ky takim kanë konfirmuar se kjo iniciativë ka hasur në rezistencë të Hungarisë.

Kujtojmë se më 6 nëntor, kryeministri hungarez, Viktor Orban është takuar në Banja Llukë me anëtarin serb të presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, në një “vizitë miqësore”.