Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha: Berisha s’njeh asnjë institucion në PD, ka hall të kthejë partinë në mburojë përballë SHBA-ve


Gjatë takimit të tij me krerët e degëve të PD-së, kryetari i kësaj force politike Lulzim Basha ka bërë deklarata të forta kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se ky i fundit nuk njeh asnjë institucion të PD-së dhe asnjë vendimmarrje.

Ndërsa ngriti shqetësimin për qëndrimet antistatutore të Berishës, Basha u shpreh se lideri historik i partisë po e përdor PD-në për interesat e tij personale dhe si mburojë nga SHBA-të.

 “Kjo histori e përdorimit të demokratëve si mburoje e interesave personale te kujdo merr fund njehere e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prapë nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti. Ai nuk njeh asnjë strukturë të Partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara.”-tha Basha.

Kryedemokrati u shpreh më tej se Berisha e kishte justifikim nisjen e foltores me qëndrimin se vendimi për të nuk ishte marrë nga forumet. Këtu ai shtoi se Berisha nuk do e njihte kurrë vendimin sepse nuk njeh asnjë institucion të PD-së.

 “Pse nuk e përmend më Sali Berisha faktin me të cilin nisi foltoren, sepse nuk u votua në Kryesi? Sepse ky ishte një justifikim.

Ja ku është vendimi i Kryesisë me 28 vota pro për mbledhjen e Kuvendit, dhe ai përsëri thotë s’e njoh. Është e qartë se sido që të merrej ai vendim, me çfarëdo votimi, Sali Berisha dëshmon se nuk do ta njihte. Sepse sot ai nuk njeh asnjë organ zyrtar të PD.”- deklaroi kryedemokrati.