Vendosni fjalën kyçe....

Macron ndryshon në heshtje flamurin francez – Raporti


Presidenti francez Emmanuel Macron ka ndryshuar ngjyrën e flamurit ‘Tringjyrësh’ të Francës, duke zgjedhur një nuancë pak më të errët të ngjyrës blu marine, por ka zgjedhur të mos informojë publikun, sipas agjencive kombëtare të lajmeve.

Gjatë fundjavës, kanali ‘Europe1’ dhe gazeta ‘Le Parisien’ raportuan se Macron kishte vendosur fshehurazi ta bënte blunë në flamurin ‘Tringjyrësh’ pak më të errët.

Gazetarët Paul Larrouturou dhe Eliot Blondet në librin e tyre të ri, ‘Élysée Confidential’, pretenduan se presidenti e mori vendimin më shumë se një vit më parë, në qershor 2020. Arnaud Jolens, drejtori i operacioneve të Elysee dhe Bruno Roger-Petit, këshilltari i presidentit, e kishte shtyrë Macron të bënte lëvizjen, pohojnë gazetarët.

Arsyeja për vendimin thuhet se ishte kuptimi i përgjithshëm se bluja e errët ishte më e këndshme estetikisht, si dhe dëshira për t’u ‘rilidhur’ me flamurin revolucionar të 1793-ës. Ndërsa flamuri i BE-së shoqëron flamurin francez kudo që shkon, besohet gjithashtu se bluja e re më e errët plotëson më mirë blunë në ‘Flamurin e Evropës’.

Nuanca më e errët e blusë ka qenë prej kohësh në përdorim nga Marina Franceze dhe Admirali Bernard Rogel, shefi i Shtabit Ushtarak të Presidentit të Republikës, gjithashtu e nxiti këtë veprim.

Qeveria e Macron nuk ia ka komunikuar kurrë publikut ndryshimin e saj, megjithëse një zëdhënës konfirmoi për ‘Le Parisien’ se ngjyra kishte ndryshuar vërtet. Sipas ‘Europe1’, presidenti nuk dëshiron që publiku të besojë se pas ndryshimit ka ndonjë kuptim të thellë.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani