Vendosni fjalën kyçe....

Rama konferencë të përbashkët me Di Maion, Italia do japë mbështetje dhe bashkëpunim në disa sektorë


Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Itali, zhvilloi edhe një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm italian Luigi Di Maio.

Di Maio përsëriti mbështetjen e Italisë për anëtarësimin në BE dhe hapjen e negociatave.

“Si objektiv ne kemi përforcimin e marrëdhënieve tona për të bërë një hap tjetër cilësor në bashkëpunimin mes dy vendeve tona.

Kjo rëndësi strategjike nuk vjen vetëm si detyrim nga lidhja që kanë dy vendet tona, por edhe nga përkatësia në BE.

Prandaj unë dua të konfirmoj mbështetjen time në rrugën drejt familjes evropiane. Mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim para fundit të vitit. Kjo do të jepte një mesazh besimi për të gjithë rajonin  e Ballkanit”, tha Di Maio.

Po ashtu ministri Italian foli edhe për investimet në disa sektorë.

“Shkëmbimi që patëm sot në komitet ka qenë frytdhënës. Kemi objektiv që në muajt e ardhshëm ti kemi operative idetë dhe sot ramë dakord për një plan veprimi për të gjitha angazhimet që kemi ndërmarrë në të gjitha sektorët, infrastrukturë dhe tranzicion ekologjik.

Italia është klienti i parë i Shqipërisë, kjo na bën krenare. Tema e tranzicionit ekologjik dhe ndërhyrja që ka bërë Italia, prania në tregun shqiptar dhe perspektiva nëpërmjet linjës së interkonjeksionit Shqipëri- Mali i Zii na çojnë në këtë drejtim”, tha ministri Di Maio.

Ndërsa Kryeministri Rama në fjalën e tij vuri theksin në projektet e përbashkëta mbi të cilat do punojnë dy vendet.

“Puna e përbashkët mes nesh që do sjellë fryte konkrete vitin e ardhshëm, ju mirëpresim ty dhe të gjithë ministrat për javën italiane që duam të organizojmë në qershorin e ardhshëm, nuk dua të hy në hollësi për të mos i lodhur më shumë ata të cilët na kanë ndjekur në këtë punë edhe duke marrë shënime edhe duke ndodhur si para edhe pas, si ambasadori italian në Shqipëri që në fund të misionit të tij mos ta lërë Shqipërinë pa pasaportë shqiptare.  Nga nesër do vijomë të punojmë për projektet nga hekurudha tek projektet që kanë të bëjnë me ekonominë detare, të energjisë, me bujqësinë, kulturën, turizmin dhe me radhë sigurisht pa harruar për shtyllat që kanë karakterizuar bashkëpunimin tonë, siguria dhe drejtësia”, tha Rama.