Vendosni fjalën kyçe....

Si një ndeshje futbolli mund të sjellë urrejtje mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës?


Nga Edmond Arizaj

Si një ndeshje futbolli mund të sjellë urrejtje mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës?

Thjesht, nga një koment i papërgjegjshëm i një komentatori sportiv.

Problemi me rrjetet sociale është se çdo idiot, mund të bëhet i lexueshëm nga mijëra vetë. Sikur gjithçka të mbetej tek idiotësia, do të ishte mirë, thjesht argëtim. Por prapa idiotësisë, që vite më parë do të kufizohej maksimumi tek tavolina e rakisë, mund të fshihet edhe ndonjë gjë tjetër. Ose nëse nuk fshihet gjë tjetër, atëherë idiotësia ngrihet në katror sepse je duke shërbyer edhe falas. Pra, e keqja është kur pas gurit të hedhur, nuk fshihet një idiot, por një goxha njeri publik. E kam fjalën për komentin e fundit të një komentatori nga Kosova në rrjetin e tij social, i bërë viral, e me shumë komente të acaruara nga statusi i tij. Budallëku nuk ka brirë thonë, por kur përsëritet është tendencë, them unë. Zotëria kishte shkruar: ‘Parameno mos me pas fitu sonte kundër ktynve që kur kemi lujt na kosovart TOP, ata në stadion veq ushtar të tupit trunin të Enverit i kan pas në tribina. Harrova qi edhe peshqit me TURBI i patën kqyr.’

Unë jam vetë tifoz dhe e kuptoj gëzimin kur fiton kombëtarja, qoftë kjo edhe 21 vjeçare, apo edhe 8 vjeçare, qoftë në futboll, apo edhe në peshëngritje, atletikë, apo qitje qoftë. E kuptoj edhe kur italianët tallen me anglezët prej disa muajsh pas fitores së europianit, e prej dy ditësh anglezët po u kthejnë reston për moskualifikimin direkt në botëror. Por nuk mund të kuptoj, vrerin e kënaqësisë së një shqiptari, kundrejt një ekipi kombëtar po shqiptar. Një shqiptari me zë publik e kam fjalën, që me fjalët e tij nxit zemërim, urrejtje, dhe mllef madje ku njëra kokë e shqiponjës i nxjerr sytë tjetrës, apo anasjelltas. Pse?! Nuk po luan Prishtina me Llapin, as Tirana me Flamurtarin (e Vlorës). Po luan Shqipëria me Kosovën, apo më mirë Shqipëria me Shqipërinë; njësoj si të pështysh lartë e të të bjerë në fytyrë.

E kanë përshkruar aq mirë të parët tanë këtë natyrën tonë për t’u vetëshkatërruar, po unë dua të besoj se është thjesht një kasetë që ka ngecur dhe përsërit të njëjtën muzikë herë pas here dhe jo një kasetë që i japin play sa herë “ndeshet” Kosova me Shqipërinë. Thjesht, të shohësh reagimet se si poshtë këtij lajmi shqiptarët i drejtohen shqiptarëve “ata që…”, “ja ata…”, etj, etj, është ngjethëse. Pak kujdes, nuk do të ishte keq. Nëse nuk do që të kesh kujdes, kjo është tjetër punë, sepse edhe liria e fjalës ka kufij, si çdo liri tjetër.