Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e 8-vjeçarit në Fier, Meta: Thirrje alarmuese për institucionet shtetërore, krimi ka autor por edhe bashkëpërgjegjës


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar lidhur me vrasjen e fëmijës 8-vjeç në Grecalli të Fierit.

Meta shprehet se kjo ngjarje duhet të shërbejë si një “thirrje alarmuese” për institucionet shtetërore pasi e konsideron një tregues të mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit.

 “Vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi.
Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale.
Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë.
Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar.”– shkruan Meta i cili më tej shpreh ngushëllimet e tij për familjen e të miturit.

Paraditen e sotme, shokët e shoqes së klasës së 8-vjeçarit kanë vënë një buqetë më lule në bankën ku ulej i mituri në shkollën në fshatin Grecalli të Fierit.

I mituri dyshohet se u vra nga shtetasi Klodian Çalamani, i cili pas krimit e ka groposur trupin e 8-vjeçarit në oborrin e banesës së tij. Çalamani është arrestuar pas krimit e dhe e ka pranuar atë gjatë dëshmisë së dhënë në polici.