Kryeministri Rama ka kërkuar që drejtësia të veprojë sa më shpejt lidhur me vrasjen makabre të 8-vjeçarit Mateo Vasiu në fshatin Grecalli të Fierit nga shtetasi Klodian Çalamani.
Kreu i qeverisë tha gjatë konferencës për shtyp në aeroportin e Rinasit para nisjes për një vizitë në Itali.
Ai theksoi se ngjarja është tejet e rëndë dhe se të tilla nuk mund të shmangen në asnjë vend të botës duke shtuar se Shqipëria ka ndër ligjet më të ashpra për krimet duke bërë thirrje për zbatimin sa më të mirë të tyre.
“Të gjithë kemi marrë lajmin e ndodhisë tragjike të pasdites së djeshme në Grecallic të Fierit. E gjithë shoqëria është tronditur por mbi të gjitha mbetet e pangushëllueshme për prindërit dhe familjen humbja e vogëlushit Mateo. Nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbjeje në zemrën e nënës dhe babait, por sidoqoftë pritet me padurim nga të gjithë është verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin i cili fal reagimit të menjëhershëm dhe kapjes së shpejtë nga policia, gjendet sot pas hekurave. Kjo është një nga ato ngjarje që të lënë pa fjalë dhe duke shqyrtuar imtësisht mbrëmjes së djeshme të gjithë rrjedhën e ngjarjes si dhe profilin e autorit, mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur dhe siç e thash domosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë dhe për të vënë pikën e drejtësisë në këtë episod kaq tragjikë. Vëllazërisht ju shpreh ngushëllimet prindërve, të afërmve, i vetëdijshëm që fjalët në një rast si ky janë krejt të pafuqishme, por sidoqoftë fjalën mbeten dhe pjesa tjetër i takon drejtësisë, e cila në këtë rast duhet të jetë e shpejtë dhe në lartësinë e nevojës së të gjithë opinionit publik për një reagim me vendimin më ekstrem të parashikuar nga ligji.” – tha Rama.