Vendosni fjalën kyçe....

A i njeh Bora Muzhaqi përgjegjësitë e veta si “Ministre për Fëmijët”? Kjo është VKM-ja që u kërkoi gazetarëve ta lexonin


Në një dalje për mediet, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi përveçse u shpreh se “nuk ka kohë” t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me rastet e abuzimeve apo dhe vrasjes së fëmijëve, u kërkoi atyre të lexonin VKM-në që përcakton përgjegjësitë e saj, duke lënë të kuptonte se kjo nuk përfshihej në kompetencat e saj.

“Institucioni im nëse do të kishit lexuar VKM-në që përcakton përgjegjësitë e mia, do e kishit kuptuar dhe përgjigjen time. Mirupafshim!“- ishin fjalët e saj.

Pyetja që iu drejtua ministres ishte se “çfarë masash konkrete janë marrë në lidhje me rastet e abuzimit të fëmijëve” nisur edhe nga ngjarjet e fundit të ndodhura në vend lidhur me abuzimet ndaj fëmijëve por edhe vrasjet siç ishte rasti në Fier.

 

Por Muzhaqi duket se as vetë nuk e ka lexuar mirë VKM-në që përcakton misionin dhe përgjegjësitë e saj.

Për të rifreskuar kujtesën për të gjithë, më poshtë është VKM-ja e miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të mbajtur më datë 22 Shtator 2021.

Në një nga pikat e VKM-së thuhet se Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët harton, zhvillon dhe monitoron politikat për: “parashikimin e mekanizmave efektivë dhe funksionimin e institucioneve të ngarkuara me marrjen e masave konkrete për promovimin, respektimin e mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, si dhe për ngritjen e një sistemi të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.”

Por ministrja Muzhaqi duket se nuk e ka lexuar.

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR RININË DHE FËMIJËT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Miratimin e misionit dhe të fushës të përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
  2. Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët harton dhe zbaton politika që synojnë mbrojtjen e të drejtave të të rinjve, garantimin e pjesëmarrjes të të rinjve në jetën sociale dhe koordinimin e çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen, përkujdesjen, shëndetin, mirërritjen dhe miredukimin e fëmijëve.
  3. Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët harton, zhvillon dhe monitoron politikat për:
  4. a) mbrojtjen e të drejtave të të rinjve në mënyrë gjithëpërfshirëse;
    b) krijimin e kushteve të nevojshme për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve;
    c) përcaktimin e funksioneve dhe kompetencave të institucioneve në nivel qendror dhe vendor për çështjet e rinisë;
    ç) bashkëpunimin me organizatat që ushtrojnë veprimtari në fushën e rinisë;
    d) të rinjtë shqiptarë në diasporë, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për diasporën;
    dh) programet e shkëmbimit rinor ndërkombëtar.
  5. Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, harton, zhvillon dhe monitoron politikat për:
  6. a) mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi;
    b) parashikimin e parimeve bazë ku mbështeten politikat kombëtare për të drejtat e fëmijës, mekanizmat efikasë, si dhe autoritetet përgjegjëse në nivel qendror e vendor dhe kompetencat e tyre në fushën e të drejtave dhe të mbrojtjes së fëmijës;
    c) sigurimin e mirëqenies dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijës, duke promovuar e mundësuar zhvillimin e tyre në shoqëri, ndihmën dhe përkujdesjen efektive për fëmijën;
    ç) marrjen e masave për t’i siguruar fëmijës ushtrimin e të drejtave, në përputhje me zhvillimin e personalitetit, bazuar në interesin më të lartë të tij;
    d) marrjen e masave për të siguruar jetesën dhe zhvillimin e fëmijës;
    dh) sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave dhe autoriteteve qendrore e vendore, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijës;
    e) parashikimin e mekanizmave efektivë dhe funksionimin e institucioneve të ngarkuara me marrjen e masave konkrete për promovimin, respektimin e mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, si dhe për ngritjen e një sistemi të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.
  7. Ngarkohet ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.