Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen tre persona në Tiranë e Gjirokastër


Tre persona janë arrestuar në Tiranë e Gjirokastër ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Një 18-vjeçar me iniciale A.M. është ndaluar në Tiranë pasi është kapur duke transportuar me furgon 20 emigrantë të paligjshëm me destinacion Kukësin.  Në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tij, 27-vjeçari me iniciale I.Ç.

Në Gjirokastër janë arrestuar dy persona të cilët ishin shpallur në kërkim për mashtrim e plagosje.

Njoftimi

“Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për krimet kundër narkotikëve dhe transportonte 20 emigrantë, me një automjet furgon, kapet dhe vihet në pranga nga Policia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta”. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, kundrejt shpërblimit monetar, nga Tirana në drejtim të Kukësit, me mjete të marra me qira, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Krujë, finalizuan operacionin policor të koduar “Krasta”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 18 vjeç, i cili ishte me masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, e caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”. Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi I. Ç., 27 vjeç, i dënuar më parë për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i monedhave”. Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën Tiranë-Rinas, duke transportuar me një mjet furgon, 20 emigrantë të paligjshëm, me destinacion qytetin e Kukësit. Nga ana e shërbimeve të Policisë është bërë ndjekja e mjetit tip furgon dhe më pas ndalimi i tij në zonën e liqenit të Krastës në qytetin e Krujës. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.”

Njoftimi

“Dy persona kanë rënë në pranga, pasi ishin shpallur në kërkim për veprat penale “Mashtrim” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”. Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës bënë me dije se pas hekurave përfundoi shtetasi me inicialet H. D., 53 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër e ka dënuar me tre vjet burgim, për veprën penale “Mashtrim”. Ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit i ka marrë shumën 4.500.000 lekë dhe nuk ia ka kthyer më shtetasit me inicialet D. B. Gjithashtu nga shërbimet e Komisariati të Policisë Tepelenë, në banesën e prindërve të tij në fshatin Maricaj të Memaliajt, u arrestua shtetasi me inicialet E. K., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi në datë 29.07.2021, Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër e ka dënuar me një vit burgim për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”. 39-vjeçari në vitin 2019, në qytetin e Memaliaj, për motive të dobëta ka plagosur lehtë shtetasin E. D. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.