Përgjegjësi i pikës doganore të Gorricës në Prespë dhe një doganier janë arrestuar për favorizim të kontrabandës. Në pranga u vu edhe drejtuesi i mjetit ku u gjet malli kontrabandë.
Të arrestuarit janë Julian Hanelli (përgjegjës i pikës doganore Gorricë), Petrika Mano (doganier) dhe Vasil Nasto (drejtuesi i mjetit).
Përgjegjësi i kësaj pike së bashku me punonjësin e doganës Petrika Mano janë vënë në prangat e policisë me akuzën e favorizimit të kontrabandës pasi sipas policisë të dy këta shtetas nuk kanë ushtruar kontroll ndaj një mjeti tip “Sharon” i cili sillte produkte ushqimore nga Maqedonia e Veriut.
Drejtuesi i mjetit Vasil Nasto po transportonte sasinë e mallit kontrabandë, ndërsa u ndalua nga policia në aksin Gorricë- Zvezdë.
Të tre të arrestuarit ndodhen në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Korçës për të dhënë dëshminë e tyre.