Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të fortë kundër ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në një intervistë për televizionin “Ora News” Basha e akuzon Berishën se e ka shndërruar Foltoren në një strehë ku pjesëmarrës ka dhe pjesëtarë të krimit të organizuar.
“E di që aty ka disa kategori njerëzish. Aty shkojnë demokratë të cilët kanë një respekt të veçantë për liderin historik. Aty shkojnë demokratë për të dëgjuar Sali Berishën pavarësisht respektit që mund të kenë për të. Aty shkojnë demokratë të cilët janë të pakënaqur me mua, aty shkojnë kundërshtarët e mi politikë. Në asnjë moment nuk i kam etiketuar apo sulmuar.
Por aty shkojnë me shumicë njerëz të cilët nuk përfaqësojnë demokratët por përfaqësojnë më të keqen e kësaj partie. Përfitues gjatë viteve të qeverisjes, të bërë milionerë dhe multimilionerë paligjshmërisht, duke shkelur mbi mundin dhe sakrificën e demokratëve, ndërsa në procesin e mbledhjes së firmave në mënyrë të dokumentuar dhe pakundërshtueshme, Partia Demokratike ka evidentuar faktorë të krimit të organizuar të cilët në masakrën zgjedhore të 25 Prillit kanë qenë të rreshtuar në krah të Edi Ramës.”- janë fjalët e Bashës.
Gjatë kësaj interviste, Basha ka paralajmëruar gjithashtu përjashtimin e Berishës nëse sjellja e tij politike vijon të jetë e njëjtë duke dëmtuar interesat e PD-së.
“Qartë shkurt e prerë. Nuk ka asnjë shans që ata një pjesë e të cilëve kemi nxjerrë nga zyrat e shtetit dhe do i nxjerrim bashkë me Edi Ramën, të vijnë e të uzurpojnë PD-në. Nuk ka shans të ndodhë.
18 dhjetori është dita e bashkimit të PD-së. Është dita e dhënies fund të tollovisë për interesa personale të Sali Berishës. Dita e përgjigjes së merituar për Aqif Rakipët, Tom Doshët, Suel Çelët që mendojnë se u erdhi dita se pasi kanë kapur Edi Ramën e PS-së të kapin dhe PD-në.”- deklaroi Basha.