Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Manja hedh poshtë lajmet: Shqipëria s’ka qenë dhe s’do jetë në bisedime për t’u kthyer në qendër azilantësh, marrëveshja e vërtetë që firmosëm sot me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut


Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka njoftuar sot një marrëveshje të arritur me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut në fushën e ndihmës juridike për tranferimin e të dënuarve në këto vende.

Gjatë daljes së tij për mediet, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Manja u sigurua të sqaronte edhe mediet mbi lajmet se Londra e Tirana kanë rënë dakord për ngritjen e një qendre të re azilantësh në Shqipëri për të strehuar emigrantët e paligjshëm që futen në ishull.

Manja i hodhi poshtë këto informacione të publikuara në mediet britanike, duke sqaruar se Shqipëria nuk është dhe as nuk do të jetë asnjëherë në bisedime pët t’u kthyer në kamp refugjatësh.

“Sot firmosëm një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e ndihmës juridike me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut për tranferimin e personave të dënuar, respektivisht nga Shqipëria në drejtim të Britanisë dhe anasjelltas.

Kjo marrëveshje në fakt thjeshton procedurat e transferimit të personave të dënuar, eliminon pengesat dhe diferencat që ka mes dy sistemeve ligjore dhe përfituesit nga kjo marrëveshje janë autoritetet gjyqësore të të dy vendeve tona por edhe personat e dënuar, në funksion të qëllimit të dënimit që është rehabilitimi i këtyre personave dhe riintegrimi i tyre në shoqëri.

Më lejoni të kaloj pak shkurtimisht. Ka patur sot në mediet britanike spekulime se kjo marrëveshje në fakt përfshin transferimin e të gjithë refugjatëve të cilët janë aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut, sikur Shqipëria do të jetë një vend trajtimi të këtyre refugjatëve, por në fakt është një spekulim i pastër mediatik.

Kjo është një marrëveshje dy palëshe që ne e kemi nënshkruar me disa nga shtetet e BE-së dhe jemi në proces diskutimi edhe me shtetet e tjera, lidhet tërësisht dhe ka të bëjë me bashkëpunimin juridik në fushën e çështjeve penale dhe nuk ka të bëjë aspak me trajtimin e këtyre kategorive dhe hallexhinjve, që janë jo vetëm në Angli por në të gjitha shtetet e Europës për t’u trajtuar në Shqipëri si kamp refugjatësh. Shqipëria as ka patur dhe as nuk do të ketë dhe as nuk është në diskutime me asnjë shtet të BE-së për t’u kthyer në një vend për të trajtuar refugjatët e cilitdo vend që kanë emigruar në këto vende të BE-së, që nuk kanë lidhje fare me drejtësinë në ato vende ku ata janë. Që të jem i qartë, qeveria shqiptare as nuk është në bisedime dhe as nuk do të jetë asnjëherë në bisedime të kësaj natyre që Shqipëria të jetë si vend trajtimi azilantësh.”- deklaroi ministri Manja.