Vendosni fjalën kyçe....

Presidenca i përgjigjet Bashës: Keqardhje që përfshin Presidentin në krizat që i shpik vetë


Institucioni i Presidentit të Republikës ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të PD-së Lulzim Bashës në një intervistë televizive, se presidenti Ilir Meta, së bashku kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha ishin një “karusel që po mban peng Shqipërinë” dhe duke i quajtur “Trekëndëshi i Bermudës”.

Zëdhënësi Tedi Blushi shkruan se presidenti Meta vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë Bashën, për çdo sqarim apo paqartësi në zyrën e tij, duke kujtuar se gjithmonë e ka mirëpritur, sa herë që sipas tij “ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë.”

Mirëpo Blushi ka shprehur keqardhje për përfshirjen e presidentit Meta nga Basha në akuzat e tij për “Trekëndëshin e Bermudës”.

REAGIMI I PRESIDENCËS

Keqardhje, që Lulzim Basha, vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur.
Për këtë arsye, i rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore:

  1. Bojkoti i reformës administrative-territoriale;
    2. Bojkoti i reformës në drejtësi;
    3. Djegia e mandateve të deputetëve;
    4. Zerimi i opozitës në pushtetin vendor;
    që sollën kapjen totale të shtetit.

Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë.

Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.

Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: TRANSPARENCËN DHE FAKTET!
Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.