Ministrja e shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ka kërkuar ndjesë për reagim që pati paraditen e sotme para mediave, kur u pyet për ngjarjen në Fier.
Në një postim në rrjetet sociale, Muzhaqi shprehet se është e prekur si të gjithë për tragjedinë por e iu është dukur e udhës të japë një opinion personal mbi fusha të tjera specifike.
Në reagimin e saj, Muzhaqi thekson se detyra e saj institucionale është vetëm angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve dhe studentëve si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet.
“Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune.
Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet.
Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja.
Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time.”- shkruan Muzhaqi.
Megjithëse ministrja shprehet se detyra e saj funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet, në VKM-në të cilën ajo vetë ua përmendi gazetarëve ku përcaktohen përgjegjësitë e saj thuhet se “Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, harton, zhvillon dhe monitoron politikat për:
a) mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi;
b) parashikimin e parimeve bazë ku mbështeten politikat kombëtare për të drejtat e fëmijës, mekanizmat efikasë, si dhe autoritetet përgjegjëse në nivel qendror e vendor dhe kompetencat e tyre në fushën e të drejtave dhe të mbrojtjes së fëmijës;
c) sigurimin e mirëqenies dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijës, duke promovuar e mundësuar zhvillimin e tyre në shoqëri, ndihmën dhe përkujdesjen efektive për fëmijën;
ç) marrjen e masave për t’i siguruar fëmijës ushtrimin e të drejtave, në përputhje me zhvillimin e personalitetit, bazuar në interesin më të lartë të tij;
d) marrjen e masave për të siguruar jetesën dhe zhvillimin e fëmijës;
dh) sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave dhe autoriteteve qendrore e vendore, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijës;
e) parashikimin e mekanizmave efektivë dhe funksionimin e institucioneve të ngarkuara me marrjen e masave konkrete për promovimin, respektimin e mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, si dhe për ngritjen e një sistemi të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.”