Vendosni fjalën kyçe....

Xhaçka përgënjeshtron mediat britanike për qendrën e re të azilit në Shqipëri: I njëjti lajm i rremë e i vjetër


Ministrja e Jashtme Xhaçka ka përgënjeshtruar lajmin e mediave britanike sipas të cilit Londra e Tirana kanë rënë dakord për ngritjen e një qendre të re azilantësh në Shqipëri për të strehuar emigrantët e paligjshëm që futen në ishull.

Ajo shkruan në Twitter se lajmi në fjalë është i njëjti i rremë e i vjetër edhe pse është publikuar në faqet e një mediaje si ‘The Times’.

Po kështu ajo ironizon edhe përemrin vetor që është përdorur në shkrim duke thënë se është ‘ajo’ e jo ‘ai’.

‘I njëjti lajm i rremë e i vjetër, këtë herë në faqen e parë të një gazete të respektuar si The Times! Dhe meqë ra fjala unë nuk jam një ‘ai’ por një ‘ajo’ që gjithmonë ka admiruar cilësinë e mediave britanike. E trishtë!’ – shkruan Xhaçka në Twitter.