Vendosni fjalën kyçe....

13-vjeçarja shfrytëzohej për prostitucion, arrestohen një 62-vjeçar dhe një polic në Sarandë


Një punonjës policie është arrestuar sot në Sarandë, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur. Po ashtu është arrestuar edhe një person tjetër, që dyshohet se e shfrytëzonte vajzën 13-vjeçare për prostitucion.

Sipas hetimeve, shtetasi me inicialet S.K. e ka shfrytëzuar për qëllime përfitimi vajzën 13 vjeçe, duke përshtatur një ambjent për shfrytëzimin e prostitucionit të saj.

Pas një hetimi një mujor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, u krye një kontroll në këtë ambient ku një kryeinspektor policie me inicialet P.R. u kap në kushtet e flagrancës, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.

NJOFTIMI I POLICISË

Në funksion të procedimit penal të vitit 2021 të regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë, mbi bazën e akteve referuese të Komisariatit të Policisë Sarandë, pasi gjatë hetimeve në kuadër të këtij procedimi penal kanë dalë të dhëna për implikim të një punonjësi policie, nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë në bashkëpunim me SHÇBA, më datë 18.11.2021 është finalizuar me sukses Operacioni “Shfrytëzuesit”, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

  • Kryeinspektor P. R., 63 vjeç, punonjës policie Trup Shërbimi në PKK Rrips;
  • S.K., 62 vjeç, banues në fshatin Xarrë, Konispol.

Pas një hetimi një mujor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve të mësipërm, pasi shtetasi S.K. ka shfrytëzuar për qëllime përfitimi shtetasen e mitur 13 vjeçe, duke përshtatur një ambjent për shfrytëzimin e prostitucionit të kësaj shtetaseje.

Punonjësi i policisë P.R. është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me shtetasen e mitur në ambjentet e përshtatura nga shtetasi S.K.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
– 2 automjete;
– 4 aparate celularë;
– një sasi vlere monetare e dyshuar si e përfituar nga veprimtaria kriminale
– është vendosur sekuestro konservative ndaj ambienteve të përshtatura për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Materialet proceduriale të arrestimit në flagrancë të shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim i prostitucionit”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.