Vendosni fjalën kyçe....

Ekspozita për Çamërinë/ Presidenca reagon pas revoltës së medieve greke: Presidenti nuk jep llogari para asnjë ambasade, por vetëm para Kuvendit dhe popullit shqiptar


Presidenca ka reaguar pas artikujve të medieve greke dhe irritimit të shprehur lidhur me një ekspozitë për Çamërinë të organizuar nga Akademia “Rrënjët Tona” dhe shoqëria civile, ku ka marrë pjesë edhe presidenti Ilir Meta.

Pjesëmarrja e Metës në këtë ekspozitë u cilësua si një provokim nga mediet greke, të cilat e mohojnë gjenocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Zëdhënësi Tedi Blushi shkruan se “Presidenti Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.”

Blushi sqaron se Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.

Po ashtu ai shprehet se çdo përfaqësi e huaj në Tiranë “për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme”.

REAGIMI I PRESIDENCËS

Në përgjigje të interesimit të “News 24″, lidhur me reagimet në mediat e një vendi fqinj për ekspozimin në ambientet e jashtme të Institucionit të Presidentit të Republikës të një ekspozite të organizuar nga Akademia “Rrënjët Tona” dhe shoqëria civile, Zëdhënësi i Presidentit të Republikës z.Tedi Blushi sqaron se:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.

Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.

Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan.