NATO ka publikuar një deklaratë duke dënuar Rusinë për atë që përshkruhet si një “provë të papërgjegjshme raketore anti-satelitore” e kryer në fillim të kësaj jave.
Të martën, Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se kreu një provë me raketë që goditi dhe shkatërroi një satelit të vjetër zbulues të epokës sovjetike Celina-D, i cili ishte në orbitë që nga viti 1982. Rusia e përshkroi atë si “një testim të rëndësishëm për sigurinë e vendit, në sferën hapësinore dhe në tokë.”
Megjithatë, sipas NATO-s, sulmi me raketa ishte “i pamatur” për shkak të mbeturinave që shkaktoi.
“Veprimet e Rusisë demonstrojnë një model sjelljeje të papërgjegjshme dhe rrezikojnë sigurinë, interesat ekonomike, shkencore dhe tregtare të të gjitha kombeve dhe aktorëve që kërkojnë të eksplorojnë dhe përdorin hapësirën e jashtme për qëllime paqësore.”– tha organizata në një deklaratë të premten, citon RT.
Deklarata e NATO-s i bën jehonë shqetësimeve të mëparshme të shprehura nga SHBA-ja. Të hënën, para deklaratës zyrtare të Rusisë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së Ned Price deklaroi se shpërthimi rriti rrezikun për “astronautët dhe kozmonautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës”.
“Sjellja e rrezikshme dhe e papërgjegjshme e Rusisë rrezikon qëndrueshmërinë afatgjatë të hapësirës së jashtme”– shtoi Price.
Por deklaratat e tij se testi mund të rrezikonte jetën e astronautëve u hodhën poshtë tërësisht nga Rusia, e cila këmbënguli se “fragmentet që rezultuan nuk përfaqësonin dhe nuk do të përbëjnë një kërcënim për stacionet orbitale”.
“Në të kaluarën, teste të ngjashme në hapësirën e jashtme u kryen gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India.”- vuri në dukje Ministria e Mbrojtjes Ruse.