Një incident ka ndodhur një ditë më parë në aeroportin “Nikola Tesla” në Serbi, ku disa persona kanë shkatërruar makinën e kryetarit të LDP-së, Çedomir Jovanoviç.
Politikani ka treguar se kishte shkuar në aeroport për të pritur djalin e tij, i cili studion në Britaninë e Madhe. Mirëpo gjatë pritjes, automjeti i tij i parkuar jashtë para hyrjes së aeroportit është dëmtuar nga një grup të rinjsh
“Më ka telefonuar djali mbrëmë, i cili nuk jeton më këtu por jashtë shtetit, ka bursë dhe jeton atje. Më ftoi në orën tetë e gjysmë nga aeroporti i Amsterdamit për të më thënë që të shkoj dhe të pres në aeroport”- është shprehur ai sipas gazetës Novosti.
Jovanoviç është shprehur se nuk i kupton arsyet e këtyre gjesteve ndaj tij.
“Nuk e kam idenë. Më panë nga dritarja kur më shanin. Të pakuptimta, çfarë të them tjetër. Nuk di më çfarë të bëj.”- thotë ai.
Sipas gazetës “Blic” një grup të rinjsh të panjohur e kanë sulmuar mjetin e tij dhe e kanë fyer Jovanoviqin me fjalët “Ti e ke shitur Serbinë”, kur ai po i afrohej veturës.
Vetëm pas kësaj Jovanoviq ka parë që në veturë i janë hequr targat, i janë thyer fshirëset dhe dera është përplasur.
Dy skuadra policie kanë bërë hetime dhe e gjithë pjesa në aeroport është nën kamera.
Politikani opozitar edhe në të kaluarën ka patur probleme pasi ka shprehur publikisht përkrahjen për pavarësinë e Kosovës.