Vendosni fjalën kyçe....

Zv.kryeministri i Malit të Zi Abazoviç: E mbështes nismën e ‘Open Balkan’, jam i vetmi në qeveri


Zv.kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka deklaruar se e mbështet nismën e ‘Ballkanit të Hapur’.

Ai pohoi se kjo nismë do jetë një mundësi shumë e mirë për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave e shërbimeve.

Numri dy i qeverisë malazeze shtoi se ajo nuk do jetë shumë e fuqishme në rast se nuk do i bashkohet të gjitha vendet e rajonit ndërsa sipas tij nëse prezantohet si duhet, edhe Podgorica mund t’i bashkohet nismës.

“Unë personalisht e mbështes nismën e ‘Open Balkan’. Jam i vetmi në qeveri. Në Malin e Zi ju e dini se rrethanat politike kanë qenë shumë të vështira. Relacionet me Serbinë nuk kanë qenë në nivel shumë të mirë kohët e fundit. Ajo ide ishte përjetuar a thua se vjen nga një president, dhe se po bën një model që do zëvendësojë modelet politike europiane. Ashtu ishte prezantuar në Mal të Zi. Unë e kam shpjeguar se ky model është i gabueshëm. ‘Open Balkan’ nuk duhet me qenë zëvendësues, por një mekanizëm që ka për t’i përshpejtuar proceset rajonale dhe integrimin. Nëse bëhet një shpjegim më i mirë në Mal të Zi, jam i sigurt se do ta mbështesin dhe do të anëtarësohet. Qëllimi jo me ndryshu kufijtë, por t’i bëjë të padukshëm. Ne duam të eliminojmë barrierat administrative, për të rritur mobilitetin e popullsisë dhe mallrave. Kur të rritet mobiliteti, ata vetë kanë për t’i thyer barrierat. Kur njerëzit t’i eliminojnë paragjykimet që janë produkt i konflikteve që kanë ndodhur, jam më se i sigurt se do e pranojnë Open Balkan. Në rast se duhet të jemi pjesë e Evropës, sjelljet tona duhet të jenë europiane.” – tha Abazoviç në një intervistë për News24.