Vendosni fjalën kyçe....

Balla mbështet nismën për Krijimin e Regjistrit të të dënuarve për krime seksuale: Besoj se do gjejë dakordësinë e të gjithë forcave politike në Kuvend


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiete Taulant Balla, ka pritur sot në Kuvend përfaqësueset e tre organizatave të shoqërisë civile, të cilat 10 ditë më parë depozituan në Kuvend bashkë me 20 mijë firma Projektligjin “Për Krijimin e Regjistrit Kombëtar të Autorëve të Krimeve Seksuale”.

Balla thotë se nëpërmjet këtij projektligji synohet të arrihet krijimi i një mekanizmi ligjor institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijeve, të rinjve, grave dhe çdo viktime të mundshme nga dhuna seksuale, duke mundësuar një mjet efektiv për të identifikuar vendndodhjen e të dënuarve për krime seksuale dhe monitorimin e aktivitetit të tyre.

“Jam i bindur që një nismë e tillë do të gjej dakordësinë e të gjithë forcave politike të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë.”- deklaroi Balla.

Nisma e propozuar nga Organizatat e shoqërisë civile Qendra “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, Shoqata “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri” dhe Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” ka për qëllim monitorimin e autorëve të veprave penale me natyre seksuale të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, për të bërë parandalimin e punësimit të autorëve të krimeve seksuale në vende pune të lidhura me fëmijët.