Vendosni fjalën kyçe....

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve/ Meta: Nxis aktorët institucionalë të marrin masa që i mbrojnë nga çdo lloj abuzimi


President i vendit Ilir Meta ka përkujtuar sot Ditën Ndërkombëtare Fëmijëve. Në një postim në Facebook, Meta ndalet tek ngjarjet e rënda të ndodhura ditët e fundit lidhur me dhunën ndaj fëmijëve dhe u bën thirrje institucioneve në vend që të marrin masa dhe nisma konkrete ligjore që garantojnë të drejtën e jetës për çdo fëmijë shqiptar, si dhe mbrojtjen e tyre nga çdo formë e abuzimit.

Po ashtu Meta inkurajon Kuvendin dhe çdo deputet për të miratuar nismat e duhura që mund të ndihmojnë në parandalimin e abuzimeve dhe krimeve ndaj fëmijëve.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, i nxis të gjithë aktorët institucionalë të ndërmarrin nisma konkrete ligjore, që garantojnë për çdo fëmijë shqiptar të drejtën e jetës, si e drejtë e patjetërsueshme, mbrojtjen e shëndetit dhe nga çdo forme abuzimi, edukim dhe arsim cilësor, si dhe një fëmijëri të lumtur dhe të sigurt, për të jetuar të lirë në një shoqëri në paqe, ku mbizotërojnë vlerat më të larta njerëzore dhe kombëtare.

Inkurajoj Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe çdo deputet, për të miratuar nismat e duhura, në veçanti për mbrojtjen dhe parandalimin e abuzimeve dhe krimeve ndaj fëmijëve, duke parashikuar ndëshkimin më të ashpër ligjor.

U bëj thirrje institucioneve përgjegjëse të zbatojnë me rigorozitet kuadrin ligjor ne fuqi, duke mundësuar zbatimin e programeve konkrete për garantimin e mirëqenies dhe të një mjedisi të sigurt për çdo fëmijë.
Asnjë fëmijë shqiptar nuk meriton të përjetojë ndjenjën e frikës apo më keq akoma, të dhunës.
Është detyra e të gjithëve t’i mbrojmë, që të rriten të shëndetshëm, të sigurt dhe të mirëedukuar.

Një fëmijëri e lumtur, është bazë për një shoqëri të shëndoshë dhe plotësisht europiane në të ardhmen!”- shkruan Meta.