Vendosni fjalën kyçe....

FDA miraton dozat e treta të vaksinave anti-covid për të gjithë të rriturit në SHBA


Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i ka dhënë dritën jeshile dozave përforcuese të vaksinave të kompanive Moderna dhe Pfizer kundër Covid-19 për të gjithë të rriturit në SHBA.

Lajmi u konfirmua nga të dyja kompanitë të premten.

Më parë, vetëm njerëzit e moshës 65-vjeç e lart, ose ata me rrezik më të lartë, kishin të drejtë të merrnin dozat përforcuese.

Por me autorizimin më të fundit, të gjithë amerikanët mbi 18 vjeç që e kanë marrë dozën e dytë të vaksinave Pfizer / BioNTech ose Moderne të paktën gjashtë muaj më parë do të jenë në gjendje të marrin edhe dozat e treta.

“Ky autorizim i përdorimit emergjent vjen në një kohë kritike ndërsa ne hyjmë në muajt e dimrit dhe përballemi me numrin në rritje të rasteve me COVID-19 dhe shtrimeve në spital në të gjithë vendin.”– tha të premten CEO-ja e Moderna-s, Stéphane Bancel.

Dozat mund të nisin të administrohen që në fundjavë, pasi Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të lëvizin për të autorizuar shpërndarjen e tyre. Drejtoresha e CDC-së Rochelle Walensky tha në fillim të kësaj jave se do të vepronte “me shpejtësi” kur FDA-ja të miratonte përdorimin e dozave shtesë.