Vendosni fjalën kyçe....

Gazeta spanjolle: Spanja po përgatit kthesën historike për Kosovën, për ta njohur “de facto”


Qeveria e Pedro Sanchezit po përgatitet për një kthesë historike sa i përket qëndrimit të Spanjës për Kosovën. Sipas medies spanjolle “The Objective”, qeveria pritet të njoh de fakto shtetin e Kosovës.

Duke iu referuar burimeve diplomatike, gazeta shkruan se kjo mund të nisë me hapjen e një zyre tregtare apo kulturore në kryeqytetin kosovar siç ndodhi gjatë regjimit të Frankos me BRSS-në dhe vendet e tjera komuniste, pa nënkuptuar njohjen e plotë. Por Zyra për Informim Diplomatik (OID) i është përgjigjur këtij mediumi se këto opsione nuk janë në tavolinë për momentin dhe se të tjera janë duke u studiuar.

Sekretari i Shtetit për Bashkimin Evropian, Juan González-Barba, e bëri të qartë këtë të premte në një kolokium të Institutit Mbretëror Elcano mbi proceset e zgjerimit në Ballkan se Spanja nuk do ta njohë diplomatikisht Kosovën përderisa nuk ka marrëveshje dypalëshe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por për herë të parë hapi derën për të bërë një gjest me autoritetet kosovare.

Në këtë kuptim, numri tre i Punëve të Jashtme theksoi se Spanja dëshiron të jetë “më e përfshirë” në rajon dhe se kjo strategji do të ishte e çalë nëse Kosova vazhdon të injorohet “plotësisht”.

“Duhet të ketë një marrëveshje të caktuar kompromisi dhe aktualisht po shqyrtojmë modalitete të ndryshme pa i njohur shtetet anëtare.”- tha ai, duke iu referuar Kosovës dhe duke peshuar secilën fjalë të tij para një auditori me diplomatë dhe ambasadorë ballkanikë.

González-Barba theksoi se ky vendim “do të merret së shpejti dhe do të shpallet”, duke lënë të kuptohet se hapi diplomatik është i afërt.

“Sigurisht, ne do të përpiqemi të vendosim në katror rrethin. Ne duam që vendimi të kuptohet nga Serbia, partneri ynë kryesor në Ballkanin Perëndimor.”- shtoi ai, duke e ditur se sa e nxehtë është kjo çështje në Beograd.

“Ne duam të kontribuojmë në përpjekjet e të gjitha vendeve anëtare dhe të të dërguarit të Përfaqësuesit të Lartë – ish-ministrit të Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak – për të arritur marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe shpresojmë që përpjekjet tona do të njihen dhe vlerësohen nga vendet e mbetura të Ballkanit.”- përfundoi ai.

Kujtojmë se Sanchez ishte presidenti i parë spanjoll që u ul në një samit ballë për ballë me një lider shtetëror të Kosovës, kryeministrin Albin Kurti. Pavarësisht se në takim nuk kishte flamuj apo simbole.