Policia e Shtetit ka publikuar informacionin zyrtar, lidhur me videon që ka qarkulluar një ditë më parë në medie, ku disa persona të armatosur shfaqeshin duke u futur neë një lokal në Lezhë.
Në njoftimin për mediet, Policia bën me dije se e ka identifikuar lokalin ku ka ndodhur ngjarja. Nga hetimet, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur më datën 13 nëntor 2021, në lokalin në pronësi të shtetasit me inicialet A.K., në fshatin Zejmen.
Personat e maskuar dhe të armatosur që shfaqen në video, sipas uniformave blu dyshohet se kanë pasur konflikt me pronarin e këtij lokali, i cili nuk ka qënë prezent. Për këtë arsye ata janë larguar dhe asnjë njeri nuk ka mbetur i lënduar nga ngjarja.
Ndërkohë policia bën me dije se ka shpallur në kërkim klientët që nuk denoncuan ngjarjen, si dhe pronarin e lokalit.
INFORMACIONI I POLICISË
Në lidhje me një video të publikuar në media dhe rrjete sociale, ku shfaqeshin disa persona të armatosur në një lokal, në aksin e vjetër Lezhë-Milot, ju bëjmë me dije se:
Shërbimet e Policisë Lezhë, sapo janë vënë në dijeni kanë organizuar punën për identifikimin e lokalit dhe personave që shfaqen në video.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur më datën 13 nëntor 2021, në lokalin në pronësi të shtetasit A.K., në fshatin Zejmen dhe shtetasit që shfaqen në video, dyshohet se kanë pasur konflikt me pronarin e këtij lokali, i cili nuk ka qënë prezent.
Gjithashtu, bëjmë me dije opinionin publik se ngjarja nuk është raportuar në Polici, si dhe nga verifikimet ka rezultuar se nuk ka pasur vjedhje, as persona të dëmtuar.
Në vijim të veprimeve, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve :A.K. ,25 vjeç, banues në Zejmen, pronari i lokalit, F.B., 26 vjeç, M.V.,29 vjeç dhe I.A., 34 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, të cilët ndodheshin klientë në lokal, për vepren penale “Moskallëzim i krimit “, kryer në bashkëpunim.
Nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon puna intensive për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.