Mes shqetësimeve në rritje për qëndrueshmërinë e tij dhe rënien e popullaritetit, presidenti Joe Biden thuhet se ka siguruar aleatët demokratë se ka në plan të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2024.
Biden dhe aleatët e tij më të afërt kanë lëvizur për të hedhur poshtë çdo thashethem se ai planifikon të jetë president vetëm për një mandat, sipas një raporti nga Washington Post.
Më shqetësuese për mbështetësit e presidentit, sipas më shumë se dyzet strategëve dhe zyrtarëve demokratë të kontaktuar nga Post, janë sondazhet e fundit që kanë treguar se pozita e Biden-it me publikun po rrëshqet shpejt si dhe mosha e presidentit, 79 vjeç.
Në një mbledhje fondesh në fillim të këtij muaji, Biden siguroi donatorët se do të kërkonte një mandat të dytë dhe këshilltarja Anita Dunn thuhet se u ka bërë thirrje udhëheqësve dhe aktivistëve brenda Partisë Demokratike, të mbledhin mbështetje për shefin e saj.
“Dëgjoj që kjo pyetje të bëhet çdo ditë”, tha një strateg demokrat për Post në lidhje me mundësinë që Biden të kandidojë përsëri.
“Askush nuk e bëri këtë pyetje për Barack Obamën. Askush nuk e bëri këtë pyetje për Donald Trump.”, shtoi ai.
Biden shkoi për një kontroll të planifikuar në Qendrën Mjekësore ‘Walter Reed’ gjatë fundjavës dhe u raportua se presidenti ishte ‘i shëndetshëm’, ‘i fortë’ e ‘aktiv’, pavarësisht moshës së tij. Ai është presidenti më i vjetër i SHBA-së në histori.
Rritja e inflacionit, çështjet e zinxhirit të furnizimit dhe pandemia e vazhdueshme e Covid-19 kanë ulur vlerësimin për Biden.
Ndërsa emrat e tjerë demokratë janë paraqitur si zëvendësues të mundshëm për Biden, si Kamala Harris ose Pete Buttigieg nga administrata e tij, konkurrenca e tij më e madhe e mundshme në vitin 2024 vjen nga kundërshtari i tij i vitit 2020, Donald Trump, i cili as nuk e ka pohuar e as mohuar se do të kandidojë, por ka lënë të nënkuptohet se do e bëjë.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani