Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është “shumë e shqetësuar” për përhapjen e Covid-19 në Evropë, ndërsa kontinenti lufton një valë të re infeksionesh.
Duke folur për BBC-në, drejtori rajonal Dr.Hans Kluge paralajmëroi se 500 mijë vdekje të tjera mund të regjistrohen deri në mars, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente.
Kluge tha se mbajtja e maskave mund të ndihmojë.
Paralajmërimi i OBSH-së vjen pasi disa kombe po raportojnë një shkallë rekord të lartë të infeksionit dhe po vendosin bllokime të plota apo të pjesshme.
Kluge tha se faktorë si sezoni i dimrit, mbulimi i pamjaftueshëm i vaksinave dhe dominimi rajonal i variantit më të transmetueshëm Delta qëndrojnë pas përhapjes. Ai bëri thirrje për rritjen e marrjes së vaksinave dhe zbatimin e masave bazë të shëndetit publik dhe trajtimeve të reja mjekësore për të ndihmuar në luftimin e rritjes së rasteve.
“Covid-19 është bërë edhe një herë shkaku numër një i vdekshmërisë në rajonin tonë.”– tha ai për BBC-në, duke shtuar se “ne e dimë se çfarë duhet bërë” për të luftuar virusin.
Kluge tha se masat e detyrueshme të vaksinimit duhet të shihen si një “zgjidhje e fundit”, por se do të kërkonte shumë kohë për të pasur një “debat ligjor dhe shoqëror” për këtë çështje.
“Para kësaj ka mjete të tjera si leja për Covid.”- tha ai, duke shtuar se ky “nuk është një kufizim i lirisë, përkundrazi është një mjet për të mbajtur lirinë tonë individuale”.