Kryeministri Edi Rama ka prezantuar buxhetin për bujqësinë me disa fermerë të mbledhur ditën e sotme.
Rama foli mbi heqjen e rimbursimit 6% duke e cilësuar se përfitonin grumbulluesit dhe paratë nuk shkonin te fermeri.
Kryeministri vuri theksin te rritja e produktivitetit duke e pasur synim të buxhetit të vitit që vjen.
“Protestat e fermerëve janë legjitime, por ata që kanë marrë pjesë në një masë të madhe janë të keqinformuar. Çfarë ka ndodhur në fakt? Ne vendosëm të heqim rimbursimin e 6 % dhe çfarë do të bëhet me këto para? Në fakt është hedhur një hap përpara dhe përmes kapaciteteve logjistike të grumbulluesve të çojmë paratë te fermeri në raport me prodhimin e grumbulluar dhe shifra në fund ka rezultuar një shifër modeste dhe mbi të gjitha një shifër e kontrolluar nga një grusht grumbulluesish të mëdhenj që jo domosdoshmërish ka shkuar te fermeri. Në këtë fazë, i gjithë sistemi i grumbullimit ka përfituar masivisht nga mbështetja e qeverise dhe duke qenë se sot grumbulluesit janë një forcë e re në treg, unë besoj se dhe grumbulluesit do e mirëkuptojë këtë që po them, ne nuk jemi kundër tyre, madje i kemi mbështetur, por ama paratë të shkojnë drejtpërdrejtë në mbështetje të fermerëve. Një sektor që gjatë një viti prek shifrën e 3.5 mld dollarë , sa mund të impaktohet nga vetëm 9 mln? 9 mln ia shtojmë bujqësisë për të rritur produktivitetin. Sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë strukturohet se brendshmi sektori dhe me tregtues dhe grumbullues, aq më e vështirë bëhet që të mbijetosh i vetëm. Të maksimizojmë fondet që janë në dispozicion të bujqësisë dhe në mbështetje të atyre modeleve që rrisin produktivitetin”, tha Rama.