Pesë oficerë policie u plagosën në Holandë dhe të paktën 40 persona u arrestuan në tre provinca ndërsa protestat e dhunshme kundër kufizimeve të COVID-19 vijuan për të dytën natë, edhe të dielën.
Autoritetet holandeze përdorën makinat ujëhedhëse, qentë dhe policinë mbi kuaj për të ndaluar të rinjtë rebelë që vunë zjarrin dhe hodhën fishekzjarrë në trazirat më të këqija prej muajsh.
Trazirat e fundit filluan të premten mbrëma në Roterdam, ku policia hapi zjarr ndaj një turme që ishte rritur në qindra gjatë një proteste që kryebashkiaku i qytetit tha se ishte kthyer në ‘një orgji dhune’.
Tre persona që besohet se janë goditur nga plumbat e policisë kanë mbetur në spital të dielën, thuhet në një deklaratë nga autoritetet.
Protestat u nxitën nga kundërshtimi ndaj planeve të qeverisë për të shtrënguar masat lidhur me pandeminë Covid-19.
Holanda rivendosi disa masa bllokimi për 17.5 milionë qytetarët e saj fundjavën e kaluar në përpjekje për të ngadalësuar rilindjen e virusit, por infeksionet ditore kanë mbetur në nivelet e tyre më të larta që nga fillimi i pandemisë.
Disa nga konfrontimet më të rënda të së shtunës mbrëma ishin në Hagë, ku pesë oficerë u plagosën, njëri prej tyre rëndë, thuhet në një deklaratë të policisë. Policia nga ana e saj ka arrestuar 19 persona.
13 arrestime të tjera u raportuan nga policia në dy qytete në provincën jugore të Limburgut, ndërsa trazira u raportuan gjithashtu në provincën veriore të Flevoland. Tetë persona u arrestuan në qytetin Urk, ku një stacion testimi COVID-19 u dogj në fillim të këtij viti.