Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla thotë se është gati puna për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Në një prononcim për mediet, ai u shpreh se 95 për qind e punës është bërë dhe po saktësohet objekti. Balla tha se në Komision do të ketë të drejta të barabarta mes dy partive më të mëdha në vend.
“Është dakordësi e plotë për tu ngritur. Një dokument parlamentar si projektvendimi për ngritjen e këtij komisioni ku do të arsyetohen objekti i punës apo përbërje janë në punë e sipër.
95 për qind e punës është bërë. Jemi duke saktësuar një element të fundit që ka të bëjë me objektin e punës së Komisionit. Besoj se këtë çështje do ta zgjidhim, në mos këtë të enjte në seancat pasardhëse të Kuvendit. Kemi shprehur vullnetin e plotë për ngritjen e komisionit.
Ky është një komision i posaçëm i reformës zgjedhore. Mendimi im është që Komisioni Posaçëm i reformës zgjedhore adreson të gjitha rekomandimet që vijnë nga objekti i ODIHR-it. Ky do të jetë objekti i Komisionit. Ajo që PS garanton është që brenda komisionit ka barazi mes anëtarëve dhe të drejtë vetoje mes dy partive të mëdha. Besoj se do ta gjejmë zgjidhje në themelin e hedhur prej shumë vitesh kur ka ngritur komisione të posaçëm Kuvendi, marrin një nga ato vendime dhe vazhdojmë punën.”- u shpreh Balla.