Njerëzit në mbarë botën do të kenë nevojë të marrin një dozë kundër Covid-19 një herë në vit, të paktën kur bëhet fjalë për vaksinën e Pfizer, tha CEO-ja i BioNTech, Ugur Sahin në një intervistë të dielën.
Në një intervistë me gazetën gjermane ‘Bild’ të dielën, Sahin tha se ai e konsideron vaksinën, të bashkë-zhvilluar nga kompania e tij, si ‘shumë efektive’.
Kur u pyet nëse njerëzit duhet të shqetësohen për llojet e tjera të Covid-19, në të cilat të vaksinuarit Pfizer-BioNTech ende shfaqnin simptoma të sëmundjes, ai i hodhi poshtë shqetësimet e tilla, duke thënë se ilaçi ofron një ‘mbrojtje 90 për qind’ kundër rasteve që kërkojnë kujdes intensiv në ata mbi 60 vjeç.
Një nivel ‘shumë i lartë’ mbrojtjeje kundër sëmundjeve të rënda zgjat deri në nëntë muaj, tha CEO-ja i BioNTech. Ai tha se ky nivel fillon të ulet ‘nga muaji i katërt’. Për të ruajtur mbrojtjen, Sahin shtyu fuqishëm për doza përforcuese, duke argumentuar se ato jo vetëm që do të rivendosnin nivelet e antitrupave, por do të ndihmonin potencialisht ‘për të thyer zinxhirët e infeksionit’.
Në të ardhmen, njerëzit mund të kenë nevojë të marrin doza përforcuese një herë në vit, beson CEO i BioNTech. Ai tha se pret që mbrojtja nga një dozë përforcuese të ‘zgjatë më shumë’ sesa imuniteti fillestar që fitohet pas marrjes së dy dozave të vaksinës.
“Vaksinimet e mëvonshme mund të nevojiten vetëm njëherë në vit, ashtu si me gripin”, tha ai. Ai gjithashtu tha se ‘vaksinimi përforcues ka kuptim pas një intervali minimal prej rreth katër muajsh’.
Intervista e Sahin vjen disa ditë pasi u zbulua se Pfizer, BioNTech dhe Moderna po bëjnë një fitim të kombinuar prej 65,000 dollarësh çdo minutë, falë vaksinës.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani