Vendosni fjalën kyçe....

“Efektivët e Policisë do t’i nënshtrohen periodikisht testit të drogës” – Nano konfirmon lajmin dhe prezanton marrëveshjen me Laboratorin Privat


Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka konfirmuar zyrtarisht nismën e tij për kryerjen e testit të drogës për efektivët e policisë.

Ai zbuloi sot se ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me laboratorin privat mjekësor “Intermedica Center” për kryerjen e këtyre testeve, si një mënyrë për të futur në “sitë” efektivët e policisë për t’u siguruar që këta të fundit nuk janë përdorues të lëndëve narkotike.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Nano i ka kërkuar përfaqësuesit të laboratorit, paanshmëri, garanci maksimale në kryerjen e këtij testi dhe ruajtje të konfidencialitetit të të dhënave.

NJOFTIMI I POLICISË

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe laboratorit mjekësor “Intermedica Center sh.p.k”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, nisur nga qëllimi për të mbrojtur integritetin e punonjësve të Policisë së Shtetit, për të garantuar sigurinë e tyre në publik, si dhe për të ruajtur imazhin pozitiv të Policisë në komunitet, bazuar në Ligjin për Policinë e Shtetit dhe në Rregulloren për Policinë e Shtetit, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi më administratorin e laboratorit mjekësor “Intermedica Center sh.p.k”, z. Thoma Vasili.

Marrëveshja e bashkëpunimit konsiston në krijimin e mundësive për ekzaminimin mjekësor periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, në kuadër të rritjes së standardeve dhe integritetit personal, për të ndaluar përdorimin e lëndëve narkotike nga ana e tyre.

Drejtor Nano ka falënderuar administratorin e laboratorit, pasi kjo mundësi e ofruar nga ana e tyre është shumë e vlefshme për rritjen e imazhit të Policisë në komunitet dhe për fitimin e besimit të qytetarëve, sepse kryerja e testit periodik për përdorimin e lëndëve narkotike do të eliminojnë akuzat e dashakeqësitë ndaj Policisë së Shtetit.

“Ju falënderoj për këtë mundësi dhe ftoj edhe kompani të tjera në këtë fushë dhe jo vetëm, që të ndihmojnë Policinë e Shtetit”, – u shpreh Drejtor Nano.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Drejtor Nano i ka kërkuar përfaqësuesit të laboratorit, paanshmëri, garanci maksimale në kryerjen e këtij testi dhe ruajtje të konfidencialitetit të të dhënave.

Administratori Thoma Vasili ka garantuar Drejtorin e Përgjithshëm, për standardet maksimale në këtë drejtim dhe ka siguruar mbështetje të përhershme për Policinë e Shtetit.

Në kuadër të marrëveshjes, Drejtori i Përgjithshëm ka nxjerrë dhe urdhrin përkatës për të gjitha strukturat qendrore dhe vendore.