Vendosni fjalën kyçe....

Makina futet mes turmës, pesë të vdekur dhe mbi 40 të plagosur në paradën e Krishtlindjeve në SHBA


Të paktën pesë persona janë vrarë dhe më shumë se 40 të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një makinë u përplas në një paradë Krishtlindjesh në shtetin amerikan të Wisconsin.

Bandat e shkollës dhe një trupë vallëzimi me gjyshe ishin mes atyre që marshonin nëpër qytetin e Ëaukesha kur një automjet erdhi me shpejtësi në rrugë.

Makina goditi dhjetëra njerëz, mes tyre edhe fëmijë.

Lidhur me ngjarjen, policia ka marrë në paraburgim shoferin e mjetit. Një zyrtar tha se incidenti nuk duket “për momentin” të jetë një akt terrorizmi.

Siç shkruan BBC, i dyshuari dukej se ishte duke ikur nga një skenë tjetër kur u përplas me njerëzit në paradë.

Banori vendas Angelito Tenorio i tha medieve lokale se sapo kishte përfunduar marshimi në paradë kur makina shtoi shpjetësinë dhe u fut mes turmës.

“Më pas dëgjuam një zhurmë të fortë dhe vetëm klithma dhe britma shurdhuese nga njerëzit që u goditën nga automjeti.”– tha ai.

Corey Montiho tha se ekipi i kërcimit të vajzës së tij u godit nga makina.

“Më duhej të shkoja nga një trup i thërrmuar në tjetrin për të gjetur vajzën time.”– tha ai.

Parada në qytetin Waukesha mbahet tradicionalisht çdo vit të dielën para Ditës së Falënderimeve. Tema e këtij viti ishte “rehati dhe gëzim”.

Familjet u rreshtuan në anët e rrugës për të parë eventin, që po kthehej pas një viti mungesë për shkak të pandemisë së koronavirusit.