Vendosni fjalën kyçe....

U kapen 57 emigrantë të paligjshëm në mjet, arrestohen dy persona në Pogradec


Dy persona janë arrestuar në Pogradec, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim.

Ata janë kapur duke transportuar 57 emigrantë të paligjshëm në dalje të qytetit të Pogradecit.

Sipas policisë, emigrantët kishin paguar nga 1 mijë euro personi për të kaluar në vendet e BE-së.

Në pranga kanë rënë 36-vjeçari M.L. e 28-vjeçari E.D. banues në Korçë ndërsa në kërkim është shpallur 38-vjeçari A.O., banues në Tiranë.

Njoftimi

“Qarku Korçë

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

U kapën duke transportuar 57 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. L., 36 vjeç; E. D., 28 vjeç, banues në Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi A. O., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Pogradecit, kanë kapur mjetin kamion tip “Iveco”, në pronësi të shtetasit A. O., me drejtues shtetasin M. L., brenda të cilit u konstatuan 57 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro secilit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezulton se, bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale ishte edhe shtetasi E. D., i cili kryente kontrollin e rrugës, me mjetin tip “Benz”.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.”