Vendosni fjalën kyçe....

Vladimir Putini vetëofrohet për eksperimentet e vaksinave të reja anti-Covid


Presidenti rus Vladimir Putin ka zbuluar se ai ka marrë dozën përforcese të vaksinës Sputnik V. Ai shtoi se është i gatshëm të marrë pjesë në testimet për një metodë të re të dhënies së formulës.

Putin, i cili raportoi se ishte plotësisht i vaksinuar këtë pranverë, tha të dielën se nuk po ndjente asnjë efekt negativ pas injektimit të tretë.

Presidenti rus takoi zëvendësdrejtorin e zhvilluesit të vaksinës Sputnik, Qendrës Kombëtare të Kërkimit të Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë Gamaleya të Moskës. Putin, i cili më parë i përshkroi vaksinat ruse si “po aq të besueshme sa kallashnikovi”, i tha Denis Logunovit se ai po ndiqte rekomandimet e zyrtarëve shëndetësorë për marrjen e dozës përforcuese.

Ai shtoi se është gati të ndihmojë në testimin e një forme tjetër për parandalimin e Covid-19, e cila ende nuk është publikuar – një vaksinë intranazale që aktualisht po i nënshtrohet testimeve klinike me vullnetarë.

Kur u pyet nëse ai ishte gati të nënshkruante dokumentet e nevojshme për të marrë pjesë në testime, siç shkruan RT, Putin u përgjigj se ai mund ta bëjë këtë “definitivisht”.

Vaksinat nga hunda të Covid-19, të administruara me sprej ose me pika, janë në avantazhin e medikamenteve që po zhvillohen aktualisht në luftën globale kundër pandemisë. Thuhet se kjo formë vaksinimi ofron disa avantazhe në krahasim me vaksinën klasike: pasi marrësi jo vetëm nuk do kryejë një injeksion, por do të fitojë gjithashtu mbrojtje shtesë për mushkëritë, organi më i dëmtuar nga koronavirusi. Për më tepër, vaksina nga hunda potencialisht mund të administrohet lehtësisht edhe vetë.

Ndërkohë që forma e re e inokulimit është ende duke u testuar në Institutin Gamaleya, vaksina Sputnik V është tashmë në përdorim në më shumë se 70 vende të botës.

Sipas të dhënave të cituara nga Putin dhe Logunov të dielën, mbi 50 milionë rusë dhe rreth 120 milionë njerëz në mbarë botën, janë vaksinuar me Sputnik V.