E fejuara e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili u masakrua brenda ambasadës saudite në Stamboll, i ka kërkuar këngëtarit Justin Bieber të anulojë të shfaqjen e planifikuar më 5 dhjetor në qytetin e dytë më të madh të Arabisë Saudite, Jeddah, duke i kërkuar atij që të mos dhurojë spektakël për ‘vrasësit’ e gazetarit të vrarë saudit.
Hatice Cengiz i shkroi një letër të hapur këngëtarit të publikuar të shtunën në ‘Washington Post’, në të cilën ajo i kërkoi Bieber të anulonte shfaqjen për t’i ‘dërguar një mesazh të fuqishëm botës se emri dhe talenti juaj nuk do të përdoren për të rivendosur reputacionin e një regjimi që vret kritikët e tij’.
Administrata e Presidentit Joe Biden publikoi një raport të inteligjencës amerikane në shkurt që implikonte princin e kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman në vrasjen e Khashoggi në 2018 në Stamboll, por e kurseu atë nga çdo dënim i drejtpërdrejtë. Princi i kurorës nga ana e tij mohon çdo përfshirje.
Bieber, i cili është kanadez, është në mesin e një grupi artistësh të planifikuar për të dhënë shfaqje teksa Arabia Saudite pret Çmimin e Madh të Arabisë Saudite në Formula 1 në Jeddah.
“Nëse kundërshtoni të jeni peng i Mohammed Bin Selman, mesazhi juaj do të jetë i zhurmshëm dhe i qartë: Unë nuk jap shfaqje për diktatorët. Unë zgjedh drejtësinë dhe lirinë në vend të parave,” shkroi Cengiz. Në shfaqjen që është parashikuar do marrin pjesë edhe reperi A$AP Rocky, DJ-të David Guetta dhe Tiesto dhe këngëtari Jason Derulo.