Vendosni fjalën kyçe....

“Kaosi e paqëndrueshmëria po vijnë në Rusi” – Ish-kardinali gri i Kremlinit Surkov


Kërcënimi i ‘destabilizimit të pakthyeshëm’ po rritet në Rusi, por vendi duhet të jetë i kujdesshëm që të mos krijojë ‘eksperimente liberale’ të rrezikshme që mund të dështojnë lehtësisht, ka pohuar ish-këshilltari presidencial Vladislav Surkov.

Në një shkrim për portalin ‘Komenti aktual’, Surkov përdori analogjinë e entropisë për të përshkruar se si rritet kaosi në një sistem të mbyllur. Sipas tij, një shtet i fortë është i nevojshëm për të frenuar atë që ai e quajti ‘entropi sociale’.

Ish-zyrtari kryesor, i quajtur dikur ‘kardinali gri’ i Kremlinit, mbajti postin e asistentit të presidentit deri në shkurt të vitit 2020 dhe ka shërbyer nën Putinin në funksione të ndryshme që nga viti 1999. Surkov përshkruhet shpesh si një nga baballarët themelues të ‘Putinizmit’, me disa që e portretizojnë atë si përgjegjës për idenë se shteti i sigurisë duhet të jetë mbi liritë individuale.

Sipas Surkov, njëzet vitet e para të shekullit të 21-të kanë parë që stabiliteti të ruhet me sukses, pas kaosit social të viteve 1990, duke nxjerrë ‘vendin e traumatizuar nga rrënojat e Perestrojkës’.

“Këto vite me siguri do të kujtohen një ditë si një epokë e artë,” tha Surkov.

Megjithatë, herët a vonë, vendi do të shohë gjithnjë e më shumë kaos pasi shteti nuk arrin të përballet me ‘dëshirat e keqtrajtuara’ të qytetarëve.

Surkov paralajmëroi se shteti rus nuk duhet të përpiqet të merret me trazirat në rritje duke hapur sistemin politik, duke pretenduar se kjo mund të çojë në ‘lëshime të pakontrollueshme’ të zemërimit civil dhe ‘destabilizimit të pakthyeshëm’.

Paralajmërimi i fundit i Surkov kundër ndryshimit në Rusi, pavarësisht nga potenciali për kaos, nuk është hera e parë që ai këshillon kundër reformimit në sferën politike.

Duke folur për Financial Times në fillim të këtij viti, Surkov pohoi se shoqëria duhet të menaxhohet për të gjetur një ‘kompromis të mirë midis kaosit dhe rendit’.

“Një mbidozë lirie është vdekjeprurëse për një shtet,” tha ai.

 “Çdo gjë që është ilaç mund të jetë helm. Gjithçka ka të bëjë me dozën.”

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani