Vendosni fjalën kyçe....

Lotaria u fitua nga çerdhja e fëmijëve të tyre, por fitorja kthehet në makth për prindërit meksikanë – Kërcënohen nga bandat


Disa prindër në Meksikën jugore thonë se po kërcënohen nga një bandë kriminale, pasi çerdhja e fëmijëve të tyre fitoi 20 milionë pesos (ose 950,000 dollarë) në një lotari.

Çerdhja ka pak më shumë se 40 nxënës dhe prindërit e tyre u vunë në krye të administrimit të çmimit.

Menjëherë pasi fitorja e tyre u bë publike, ata morën kërcënime nga një grup i armatosur, i cili kërkonte që t’i përdornin paratë për të blerë armë për bandën.

Familjet thonë se u detyruan të largoheshin nga fshati i tyre dhe kanë jetuar në vështirësi, shkruan BBC.

Dhuna e bandave është e përhapur në Meksikë dhe grupet e armatosura shpesh përpiqen të rekrutojnë vendas në luftën e tyre me rivalët për kontrollin e territorit.

Një numër i biletave prej 500 pesosh në lotarinë e shumë-publikuar të Meksikës u blenë nga dashamirës anonimë dhe iu dhuruan shkollave dhe çerdheve të varfra në të gjithë vendin.

Shteti meksikan organizoi llotarinë dhe një listë me 100 fituesit u shpall në shtator të vitit 2020 dhe u botua në gazetat meksikane. Çerdhja e vogël në fshatin indigjen të Ocosingo ishte ndër fituesit.

Ndërsa fitorja e papritur u bë shkak për festë në fillim, problemet filluan menjëherë pasi u përhap lajmi për të. Anëtarët e shoqatës së prindërve thonë se ata filluan të merrnin kërcënime nga një grup i armatosur i quajtur Los Petules i cili kërkonte që paratë e çmimit të përdoreshin për të blerë armë për bandën, e cila thuhet se kishte planifikuar të sulmonte një grup rival në një fshat fqinj.

Prindërit refuzuan dhe në vend të kësaj i shpenzuan një pjesë të parave për një çati të re për çerdhen.

Kërcënimet u shtuan këtë vit kur prindërit vendosën të përdorin 14 milionë pesot e mbetura për të përmirësuar fshatin e tyre.

Në mars, një baba u qëllua nga anëtarët e bandës të cilët kërkuan që ai t’u dorëzonte paratë e çmimit.

Muajin e kaluar situata u përshkallëzua më tej kur banda thuhet se sulmoi gratë dhe fëmijët në fshat, duke bërë që 28 familje të iknin.

Një anëtar i shoqatës së prindërve tha se komuniteti kishte humbur “bagëtitë, shtëpitë tona, frigoriferët, të korrat tona të misrit dhe fasuleve, pulat tona”.

Një zëdhënës i familjeve tha se ata kishin njoftuar autoritetet lokale për gjendjen e tyre, por nëse banda nuk çarmatosej dhe shpërbëhej, ata nuk do të mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre.