Vendosni fjalën kyçe....

Qindra të arrestuar në Holandë gjatë protestave kundër kufizimeve, Rutte paralajmëron masa më të ashpra


Më shumë se 100 persona janë arrestuar gjatë tre netëve të trazirave të dhunshme kundër bllokimeve lidhur me pandeminë Covid që tronditën Holandën gjatë fundjavës. Kryeministri Mark Rutte i quajti demonstruesit ‘idiotë’ dhe paralajmëroi për kufizime të reja.

Arrestimet vazhduan të dielën në mbrëmje, ndërsa turmat e të rinjve të zemëruar u tërbuan nëpër qytetet holandeze për të tretën ditë radhazi, ndërsa protestat kundër masave të qeverisë për Covid-19 u kthyen të dhunshme.

Në një nga këto incidente më të rënda të premten, policia në Roterdam hapi zjarr, duke plagosur dy persona, pasi një makinë policie u dogj dhe protestuesit u përleshën me oficerët.

Trazirat nuk treguan shenja qetësimi gjatë fundjavës. Të dielën, kryebashkiakët e disa qyteteve dhe qytezave holandeze, përfshirë Enschede dhe Groningen, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme brenda natës.

Të rinj të veshur me të zeza qëlluan me gurë makinat e policisë, u vunë flakën makinave dhe dëmtuan dyqanet.

Një total prej 30 personash u arrestuan në qytete të ndryshme holandeze të dielën pas dhjetëra arrestimeve gjatë dy ditëve të mëparshme, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të arrestuarve në më shumë se 100, sipas Reuters.